Kryeministri Edi Rama në episodin e dytë të podkastit për këtë sezon ka pasur të ftuara dy motra të cila janë edhe krijuese dhe partnere, në një sipërmarrje që ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe në një treg jashtëzakonisht konkurrues ndërkombëtar.
Ada dhe Mekena kanë treguar sesi arritën që idenë e tyre ta kthejnë në një biznes të njohur ndërkombëtarisht tashmë. Ata me bimët e tokës shqiptare prodhojnë produkte kozmetike.
Ada me profesion kimiste tregon sesi në fillim ka qenë ajo që ka nisur që të eksperimentojë me këtë bimë duke bërë varja dhe kremëra të ndryshëm, duke e zgjeruar më tej më pas idenë e saj në lidhje me këtë.
“Unë jam kimiste. Gjatë gjithë kohës kisha në mendje të bukurën, dhe aty fillova të eksperimentoja, midis vajrave, kremrave. Më ka pëlqyer gjithmonë fuqia që ato mbartin. E më pas kështu vijoi. Me ardhjen e demokracisë, sigurisht tregu u mbush. Aty kishte më shumë për kremrat dhe unë i merrja dhe i studioja, mbi përbërësit në etiketa. E fiksuar pas etiketave, fillova të studioja çdo përbërës të mundshëm, por në ato momente më lindi ideja, e kisha të ngulitur në mendje gjatë gjithë kohës që unë duhet të krijoja një produkt, i cili duhet të vinte shumë pastër te tregu dhe të ishin organik mbi të gjitha. Kjo më joshte gjatë gjithë kohës. Dhe ia dolëm, e krijuam. Kombinimi vajor është një nga produktet best seller për ne, por dhe për tregun. Ne tanimë, me kombinim vajor shkojmë në tregun ndërkombëtar”, ka thënë ajo.
Nga ana tjetër Mikena e cila kishte studiuar edhe për biznes ishte kthyer në ideatoren e këtij biznesi duke studiuar me detaje tregun dhe dinamikat e tij.
Dy motrat tregojnë se arritën që idetë e tyre ta kthejnë në realitet dhe të krijojnë kompaninë e tyre me produkte të bimëve nga toka shqiptare, Ada Herbs e cila tashmë prej 11 vitesh shet produktet në tregje të ndryshme ndërkombëtare.
Ada dhe Mikena treguan se bimët e tokës sonë i kanë kthyer në produkte luksi edhe në vitrinat e botës duke krijuar njëkohësisht një treg online prej 35 mijë klientësh nga të gjitha kontinentet
“Po, në SHBA dhe kudo tjetër. Në Australi, në Japoni kemi shumë klientë. Tregun online e kemi perfeksionuar mendoj, jo vetëm nga shërbimi, por edhe nga fakti që kemi shumë vite që e kemi tonin. Në database-n tonë janë të regjistruar 35 mijë klientë që janë të përsëritur, domethënë klientë qe janë të regjistruar vetëm në database, por mund të ketë edhe të tjerë që nuk kanë mundur të regjistroheshin në database”, theksoi Mikena
Motrat ndër të tjera tregojnë se tashmë biznesi i tyre ka marrë një tjetër zhvillim dhe prania dhe hapësira që ato kanë gjetur në Francë i ka ndihmuar që të integrohen më lehtë në tregjet ndërkombëtare.
“Ja për shembull, disa dyer që na i ka hapur prodhimi në Francë janë pikërisht këto dyer sepse në momentin që ne prodhuam në Francë, deri diku në një treg ndërkombëtar sikur u afirmuam dhe ata filluan që të na kontaktonin, të kishin vlerësime të ndryshme ose dëshironin që të provonin produktet tona, ne kemi dhe një histori goxha komike me revistën e parë që ne kemi dalë, është Vogue në Angli. Ata na kishin kontaktuar disa herë në e-mail dhe ne e shikonim me një dyshim shumë të madh e-mail e parë, si një Spam dhe nuk e besonim. Ishim gjithë kohën duke kontrolluar, duke kontaktuar IT se mos është ndonjë Spam, derisa morëm guximin pas një jave t’i shkruanim”, ka thënë Mikena.
Sipas tyre produktet kanë zënë një vend të rëndësishëm edhe në disa revista ndërkombëtare si Vogue, Bazaar.