Burri nga Uganda, Ssalongo Nsikonenne Habib Ssezzigu, është martuar me shtatë gra në të njëjtën ditë, raportoi të mërkurën “The Citizen”. Në mesin e shtatë grave të Habibit janë edhe dy motra, teksa ceremonia e kurorëzimit është mbajtur në fshatin Bugera të Mukonos të dielën e 10 shtatorit. Gratë janë Mariam, Medine, Aishe, Zejnebu, Fatuma, Rashida dhe Musanyusa, e cila është gruaja e parë e Habibit dhe ka qenë me të për shtatë vjet.
Në një postim në Facebook, blogeri Caleb Canaan ka thënë se dasma filloi rreth orës 8 të mëngjesit, kur nuset u dërguan në sallonet lokale për t’u rregulluar përpara se të vendoseshin në automjetet me targa të që mbanin emrat e secilës prej tyre.
“Gratë e mia nuk ushqejnë xhelozi mes tyre. I prezantova veçmas dhe vendosa t’i martoja të gjitha menjëherë për ta bërë familjen të madhe dhe të lumtur”, ka thënë ai. Habibi nuk e ka ndërmend të ndalet. Ai ka thënë se do të martojë edhe shumë gra të tjera në të ardhmen. “Jam ende djalë i ri dhe në të ardhmen e afërt, në dashtë Zoti, nuk mund të them se ky është fundi”, ka shtuar ai. Sipas babait të dhëndrit, Haxhi Abdul Ssemakula, poligamia ka qenë praktikë në këtë familje, duke shtuar se gjyshi i tij kishte gjashtë gra që kanë jetuar të ndara me perde brenda një shtëpie.