Këngëtarja e famshme, Shakira, është akuzuar nga prokurorët spanjollë se nuk ka paguar 6.7 milionë euro tatim mbi të ardhurat e saj në vitin 2018, në akuzat e fundit fiskale të Spanjës kundër këngëtares kolumbiane.

Ylli i muzikës dyshohet se ka përdorur një kompani offshore për të shmangur pagesën e taksës, thanë prokurorët e Barcelonës në një deklaratë. Ajo është njoftuar për akuzat në Miami, ku jeton aktualisht.

Shakira tashmë do të gjykohet në Barcelonë më 20 nëntor në një çështje të veçantë që varet nga vendi ku ajo ka jetuar mes viteve 2012-14. Në atë rast, prokurorët pretendojnë se ajo nuk ka paguar 14.5 milionë euro tatime.

Prokurorët në Barcelonë kanë pretenduar se fituesja e “Grammy”-t kaloi më shumë se gjysmën e periudhës 2012-2014 në Spanjë dhe për këtë arsye duhej të kishte paguar taksat në vend, edhe pse rezidenca e saj zyrtare ishte në Bahamas.

Autoritetet tatimore të Spanjës gjatë dekadës së fundit kanë goditur yjet e futbollit si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo për mospagimin e plotë të taksave. Këta lojtarë u shpallën fajtorë për evazion fiskal, por shmangën burgun falë një dispozite që lejon një gjyqtar të heqë dënimet nën dy vjet për shkelësit për herë të parë.