Ish-kreu i SHISH-it Fatos Klosi ka komentuar çështjen e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. Klosi u shpreh se grekët kanë dorë në emërimin e Belerit.
Klosi tregoi arsyet se përse kryeministri grek Micotaqis po e mbron Belerin, edhe pse ky e fundit i çnderon grekët.
“Deklaratat e Micotaqisit se do na frenojnë integrimin, do na presin fondet, do vendosin veton, në fakt janë të tepërta. Unë jam i sigurt se në emërimin e Belerit kanë dorë dhe grekët, jo vetëm Dulja.
Por pse? Nëse do vinte një grek serioz, asgjë nuk do ndodhte, ai do bënte detyrën e kryetarit të bashkisë dhe nuk do t’u shërbente për asgjë.
Ndërsa Belerit, greket mund t’i kërkojnë çfarë të duan, është i tyri, e vunë ata. Ja pse u vu Beleri! Jo se nuk kanë grekët të tjerë, por nuk kanë si Beleri, që është edhe i inkriminuar tek ata. Ai është akoma më i bindur ndaj grekëve dhe e ka treguar që nuk e çan fort kokën.
Nga kjo pikëpamje them që Belerin nuk duhet ta pranonin shqiptarët. Shqiptarët në ketë rast janë Berisha dhe Meta, se ata janë të rëndësishëm.
Po t’i thoshin ata Dules të vinte një tjetër kandidat, sigurisht që ai do detyrohej të vendoste një tjetër. Dulja është bishti i kavallit, ka vetëm një bashki dhe atë me brekë nëpër këmbë e mori me 19 vota.
Beleri si figurë grekët i çnderon, se ka shumë gjynahe ai njeri. Por ata po e mbrojnë fort. Qëndrimin e Micotaqisit e shoh si një qëndrim për të arritur një rezultat. Nuk ka hallin e Belerit ai”, u shpreh Klosi në DritareTv.