Kreu i SPAK, Altin Dumani paralajmëroi dy ditë më parë se shumë shpejt do të kemi lajme të bujshme në lidhje me aferën “CEZ-DIA”, pasi Prokuroria e Posaçme do të fillojë me “prerjen e kokave”. I pari që rrezikon arrestimin është ish-presidenti Ilir Meta, i cili u thirr për herë të parë më 22 shkurt të vitit 2023 brenda Prokurorisë së Posaçme dhe u pyet për tre orë.

Juristi Romeo Kara ka treguar se kush janë provat dhe dëshmitarët që e rrezikojnë kreun e PL, Ilir Meta sa i takon aferës “CEZ-DIA”.

“Disa nga provat janë: dëshmitë e Jozef Hejsekut dhe Elvis Matajt, ku ata konfirmojnë se kemi të bëjmë me një afere, përfshirjen e Ilir Metës dhe Sali Berishës nëpërmjet delfinit të tyre Kastriot Ismailaj, udhëtimi i Metës në Pragë së bashku me Ismailajn, vendimet e ERE-s nën ndikimin e Metës, të cilat favorizonin CEZ-in si dhe intervistën e gruas së Ismailajt e cila pa ekuivok deklaron se Ilir Meta i ka bërë presion Ismailajt që ai të trysnonte drejtuesit e CEZ-it për t’i dhënë atij një shumë të madhe parash në këmbim të vendimit të ERE-s të dalë nën ndikimin e tij. Ka edhe mjaft prova të tjera për të cilat po rezervohem që t’i them, meqenëse procesi i hetimit është në zhvillim e sipër”, u shpreh ai për gazetën ‘SOT’.

Ndërkohë zoti Kara foli edhe për Kastriot Ismailaj, i vetmi i ndëshkuar për aferën CEZ-DIA, i cili është liruar pak ditë më parë nga burgu.

“Padyshim. Një largim i mundshëm i tij nga Shqipëria, vullnetarisht apo nën presion, mund ta komplikojë çështjen në favor të Ilir Metës, prandaj SPAK-un e shoh të detyruar që të veprojë pa vonesë”, nënvizoi juristi i njohur, Romeo Kara. (Shqiptarja.com)