Ministrja e re Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e ka nisur punën nga Shkodra. Gjatë takimit me fermerët dhe blektorët e këtij qarku në Malësi të Madhe, ajo tha se do të vijojmë mbështetjen me subvencione, për të arritur synimin e 1 milion Euro eksporteve, por edhe më zhvillimin e potencialit në veri të vendit.

“Ta nisësh nga Shkodra, për gjithçka që ajo ofron, për të gjithë kapitalin natyror, që ajo ka ende të pa shfrytëzuar, por edhe kapitalin njerëzor, mendoj se është një mesazh për të treguar se sa punë ne kemi ende për të bërë, përtej nevojës për të vlerësuar edhe punën e bërë deri tani. Në Shkodër dhe në të gjithë rajonin verior të vendit, kemi ende kapitale të pa shfrytëzura dhe ne kemi shumë punë, për të zhvilluar të gjitha ato potenciale që ka bujqësia dhe ekonomia rurale këtu”.

Sipas ministres kulinaria në veri po kthehet në një atraksion turistik dhe duhet të mbështetet.

“Në këtë qark, 70% e produkteve shkojnë nga ferma tek turizmi e familjet, dhe 83% e këtyre produkteve janë organike. Ky është një lajm shumë i mirë që e bën kulinarinë shqiptare të jetë një atraksion turistik dhe nesër vizitorët e huaj të mos vijnë vetëm për bregdetin, por të vijnë edhe për ushqimin”.

Ministrja Denaj foli edhe për çështjen e mungesës së fuqisë punëtore në bujqësi, por sipas saj kjo mund të përmirësohet me pagesa më të mira.