Në raportin e tij “Për marrëdhëniet me Bjellorusinë”, Parlamenti Evropian njohu Presidentin e vetëshpallur të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko si bashkëpunëtor në krimet e kryera nga Federata Ruse në Ukrainë, veçanërisht në deportimin e fëmijëve.
Në veçanti, raporti thekson se autoritetet bjelloruse janë të përfshira në promovimin e gjuhës së urrejtjes, dezinformimit dhe propagandës nga Rusia, që “i bën jehonë retorikës luftarake të Moskës”.
Parlamenti i BE-së dënoi Bjellorusinë për ndihmën e Rusisë në luftën kundër Ukrainës dhe dëbimin e detyruar të fëmijëve ukrainas nga territoret e okupuara të Ukrainës në Bjellorusi ose përmes territorit të saj në të ashtuquajturat kampe rekreative, ku ata i nënshtrohen rusifikimit të detyruar.
Sipas të dhënave të treguara në raport, mbi 2150 fëmijë u sollën në Bjellorusi, raportojnë mediat e huaja.
Parlamenti Evropian i vlerësoi veprimet e regjimit të Lukashenkos si krim kundër njerëzimit në përputhje me Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Përveç lëshimit të një urdhër-arresti për Lukashenkon, parlamenti i bën thirrje Këshillit të Bashkimit Evropian të zgjerojë listën e personave të sanksionuar dhe t’i shtojë asaj ata që janë përfshirë në dëbimin e detyruar të fëmijëve ukrainas në Bjellorusi.
Në përgjigje të dekretit të Lukashenkos që ndalon lëshimin e pasaportave për bjellorusët jashtë vendit, Parlamenti Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare të vazhdojnë të thjeshtojnë procedurat e vizave për bjellorusët.