Pasi kanë kryer aplikimet online, maturantët janë ende në fazën e regjistrimeve për degët ku kanë rezultuar fitues, që është përllogaritur që të zgjasë 14 ditë. Nga 19.612 aplikime, deri më tani 70% e maturantëve e kanë bërë zgjedhjen e tyre.
Nga data 15 shtator maturantët kanë mundësi që të nisin sërish aplikimet për në universitet, duke përzgjedhur 10 degë të preferuara, pasi nis raundi i dytë që do të zgjasë tre ditë.

“Nga 15-17 shtator do të jetë aplikime për raundin e dytë, 3 ditë në dispozicion, portali rri hapur 24 orë që maturantët qe nuk u regjistruan dot në asnjë program studimi në raundin e parë kalojnë automatikisht ne raundin e dyte te aplikimeve. I shtohen dhe maturantët që kanë kaluar vjeshtën. Besoj në total do të jetë rreth 5 mijë maturantë që do aplikojnë ne fazën e dytë”.- shprehet Sinkron Arjan Xhelaj, drejtor i RASH. Pas përfundimit të dy raundeve, nis një fazë e lirë nga data 4 tetor, ku maturantët mund të shkojnë pranë fakulteteve përkatëse dhe të bëjnë kërkesë për regjistrim në bazë të kuotave të lira dhe mesatares.

“Kanë të drejtë të shkojnë pranë fakulteteve dhe të bëjnë kërkesë dhe pastaj behet një renditje e brendshme. Kriteret hyrëse për raundin e pare dhe te dyte vlejnë dhe për fazën e lirë”. Ndër degët e preferuara për këtë vit janë ato të shëndetit, teknologjia e informacionit si dhe arkitektura.