Qeveria e Shteteve të Bashkuara po kërkon më shumë informacion rreth “Huawei Mate 60 Pro”, një smartphone kinez ky i mundësuar nga një çip i avancuar.

Pajisja e re, që thuhet se përfshin një procesor të ri 5G, të zhvilluar së fundmi nga prodhuesit kinezë, sipas CNN, ka tronditur ekspertët e teknologjisë në SHBA që kërkojnë të kufizojnë aksesin e Kinës.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të martën se autoritetet po kërkojnë më shumë informacion për ndërtimin e këtij çipi. Kjo pasi në webfaqen e kompanisë informacioni mungonte.
Në vitin 2019, qeveria amerikane i detyroi të gjitha kompanitë që të ndalonin shitjen e softuereve dhe pajisjeve Huawei. Vendimi u mor pas shqetësimeve se pajisjet e prodhuara në Kinë mund të cënonin sigurinë kombëtare, pasi mund të ishin të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike si dhe mund të përdoreshin nga agjencitë ligjzbatuese kineze për spiunazh.
Por teksa SHBA po kufizon përdorimin e telefonit Huawei në territorin e saj, edhe Kina ka marrë masa duke ndaluar përdorimin e Iphone nga zyrtarët e qeverisë, raportoi “The Wall Street Journal”. Menaxherët njoftuan stafin për ndalimin e telefonit amerikan përmes grupeve të bisedave online si dhe takimeve.
Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës dhe Apple nuk dhanë një përgjigje për këtë çështje kur u pyetën nga CNN. Ndalimi i iPhone shikohet si një hakmarrje nga ana e Kinës pas lëvizjeve të ngjashme që ndërmori SHBAndaj telefonit Huawei.