Pas rreth dy javësh në spital, gjendja shëndetësore e ish-kryeministrit Fatos Nano është përmirësuar. Burime për gazetaren e Report Tv, Enxhi Musaj bëjnë me dije se lideri historik i PS ka dalë nga tubimi dhe gjendja e tij është e qëndrueshme.
Për t’i lehtësuar furnizimin me oksigjen, mjekët i kanë bërë hapje kirurgjikale të trakesë ku kanë vendosur një tub plastik në fyt. Nano vuan nga një sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike e quajtur ndryshe si SPOK. Kjo patologji që prek mushkëritë dhe karakterizohet nga një ngushtim i rrugëve respiratore me pasojë kryesore vështirësinë e furnizimit me oksigjen.
Nano u shoqërua me ambulancë nga shtëpia e tij për në spital të enjten e 24 gushtit 2023, pasi kishte pasur probleme me frymëmarrjen. Ai u nderua nga Kryeministri Edi Rama me medaljen e mirënjohjes publike.
Nano është një prej personazhëve më të rëndësishëm të Shqipërisë pluraliste. Ai ka qenë katër herë kryeministër i vendit, i dyti në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar pas Mehmet Shehut. Më konkretisht, në qeverinë që përgatiti zgjedhjet pluraliste të vitit 1991, në qeverinë e fituar nga Partia e Punës për tre muaj më 1992, në qeverinë e vitit 1997 dhe në qeverinë e vitit 2002 deri në 2005-ën. Nano ka qenë kryetar i PS-së për 13 vjet. Ka dhënë dorëheqjen tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i Partisë Socialiste, duke themeluar “institucionin” e dorëheqjes në Shqipëri, por edhe duke vënë një rekord në këtë fushë.