Kryeministri Edi Rama nuk e shikon si rastësi, impaktin që pati turizmi këtë sezon në vendin tonë. Në emisionin Real Story në ABC News, Rama u shpreh se turizmi do të jetë edhe më i fuqishëm vitin tjetër, teksa shtoi se nuk mund të shkohet shumë larg nëse mbetemi te turizmi i masës.

Në lidhje me zgjedhjet e pjesshme vendore që do të zhvillohen në Kukës, Rama theksoi se do konfirmohet vijimi i kursit të filluar për ta transformuar qytetin nën drejtimin e PS.

Pjesë nga intervista:

Sa të ktheheni në Tiranë keni zgjedhje në Kukës, nuk besoj e keni harruar..

Si erdhi kjo punë, po e fusim edhe Kukësin këtu në KS, si bisedë sepse pa e mbushur me pak thashethem Shqipërie këtë sallë, do ishte fatkeqësi ta linim Presidencën dhe mundësinë ta kemi nën kontroll sallën.

Një koment për situatën politike në Shqipëri

Në Kukës do konfirmohet vijimi i kursit të filluar për ta transformuar Kukësin nën drejtimin e PS. Mendoj që ky vit ka qenë shumë domethënës edhe në aspektin e brendshëm për shkak të sinjalit të jashtëzakonshëm të marrë nga turizmi, që është një sinjal që lidhet me të gjitha gjërat, edhe me atë që bëjmë këtu, edhe me atë që bëjmë në instanca të tjera. Është konfirmim i ndryshimit të imazhit të Shqipërisë në botë. Dhe patjetër i daljes më në fund të Shqipërisë nga pozicioni i mbyllur i një vendi të paragjykuar për cdo gjë dhe në shumë aspekte padrejtësisht.

Të rrijmë pak te turizmi, sa mundësi ka që kjo të ketë qenë një rastësi dhe sa mundësi ka të përsëritet?

Rastësi nuk ka asnjë shans sepse, do të përsëritet edhe më fuqishëm vitin e ardhshëm, pasi gjithë zhurma e madhe që u bë botërisht për Shqipërinë si destinacion i ri turistik në Mesdhe, efektin më të madh do ta japë, në vitet që vijnë. Por ajo që ne duhet të kemi parasysh është se nuk duhet të fluturojmë, por të rrimë me këmbë në tokë. Dhe duhet të kuptojmë që nuk mund të shkojmë larg nëse mbetemi te turizmi i masës. Ne duhet të balancojmë ofertën të ofrojmë shumë më tepër mundësi për turizmin e konsumatorëve, të ardhura të larta, për të futur shumë më tepër të ardhura në vend për ta ndihmuar shumë më tepër ekonominë e vendit dhe për të patur njëkohësisht një balancë dhe në aspektin e ekuilibrave mjedisorë, pasi dihet se turizmi i masës e sjell me vete dhe këtë kërcënim.

Kjo do kërkojë ridimensionim të gjithçkaje. Nëse turizmi kthehet në burim kryesor të të ardhurave në vend, automatikisht kthehet në burim kryesor të kontributit të taksave, çka do të thotë se shteti një pjesë të mirë të këtyre taksave t’i fokusojë në aspekte që ndikojnë në rritje të cilësisë së turizmit në vend.

Ne jemi shumë të qartë për këtë, kemi qenë strategjik në gjithë mënyrën si kemi ndërtuar këtë Shqipëri të re në sytë e të tjerëve, sepse që kur kemi nisur me Rilindjen urbane, me rehabilitimin e trashëgimisë kulturore, ndërhyrjet në rrugët dytësore, rurale, kemi patur parasysh që do krijojmë një tërësi që do të jetë praktikisht pasqyra e një Shqipërie turistike. Tani jemi të qartë edhe për çfarë të mirash kemi siguruar, nga sa kemi arritur por edhe çfarë rreziqesh na kërcënojnë dhe si duhet t’i adresojmë.

Cili është rreziku kryesor?

Rreziku është që, të mos balancojmë ofertën turistike dhe të mbetemi te turizmi i masës, që sjell numra të mëdhenj, por nuk sjell të ardhura të mëdha siç sjell turizmi i konsumatorëve të nivelit të lartë. Po ju jap një shembull të thjeshtë, atë që sjellin 400 anije të mëdha, jahte të mëdha luksi që qëndrojnë në Shqipëri, për një periudhë që është e barabartë me zgjatjen e sezonit turistik, është e barabartë me atë që sjellin 40 mijë turistë që vijnë me një çantë në krah. Këta 40 mijë turistë që vijnë me një çantë në krah, sjellin nevojën për të patur edhe një kapacitet të shtuar për pastrim. Pra duhet të balancojmë.

Në Greqi këtë verë, konstatova dy gjëra. Mediat greke kishin alarmin po na e kalon Shqipëria, dhe ndërkohë me grekët që flisja thonin duam të shkojmë në Shqipëri, në Ksamil. Plus edhe Belerin i keni acaruar shumë grekët.

Ne jemi njësoj këtë pikë, edhe shqiptarët duan të shkojnë në Greqi, edhe grekët duan të vijnë në Shqipëri, gjithmonë për ne që jetojmë në atë pellg, bari në oborrin e fqinjit është jeshil, bari në oborrin tonë është problematik. Kështu që, në këtë pikë grekët janë si ne, janë në BE, por kjo nuk do të thotë se ndryshojnë nga ne në të gjitha gjërat. Jemi njësoj, nuk ka asgjë për t’u çuditur, ndërkohë që Shqipëria t’ia kalojë Greqisë kur vjen puna te turizmi është diçka shumë e madhe, na duhet ende shumë punë. Duam të jemi kampionë të Ballkanit në turizëm, por këtu kam parasysh rajonin e Ballkanit Perëndimor, jo Greqinë akoma. Për të qenë ne mbi Greqinë, në raport me turizmin do na duhet shumë më tepër kohë dhe në fund të fundit, është e vërtetë se e kemi barazuar për numër turistësh, por nuk janë numrat, janë edhe të ardhurat, dhe këtu ne duhet të bëjmë shumë punë./abcnews.al