Në një intervistë për “Real Story” me gazetarin Sokol Balla në ABC Neës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se Tirana sot është një kryeqytet më i sigurt, krahasuar me vitet e kaluara. Ai shtoi se po punohet për të rritur sigurinë në perimetrin e shkollave të Tiranës, sidomos për të eleminuar shpërndarësit e drogës.

“Më kujtohet konflikti i viteve 1997-98 në Shqipëri, koha e Piramidave, kur nëpër shkolla kishte disa alarme për bombë. Për këtë arsye, atëherë te “Sami Frashëri” shkonim me qese librash në shkollë. Kurse sot në Tiranë flasim për të pasur një perimetër sigurie në shkollat tona, ku ata që shpërndajnë drogë as duhet ta mendojnë të futen te Rruga e Barrikadave dhe ku ai që dikur kishte një pikë bastesh dhe bilardo te “17 Nëntori”, as e imagjinon ta ketë më. Jemi si dy botë të ndryshme. Pranohet nga të gjithë në mënyrë unanime se Tirana sot është kryeqyteti më i sigurt sa i takon atij që quhet ‘krimi i rrugës’. Në media ka kohë që s’raportohet një vjedhje portofoli, një shkulje zinxhiri nga qafa, apo vjedhja e një celulari”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se Tirana ka sfida dhe gjëra që mund të bëhen më mirë, por nuk përballet me situata si ato që ndodhin në Londër me goditjet me thika për stifa në Tik-Tok apo probleme me minjtë si në Nju Jork. “S’po them se jemi më mirë se Nju Jorku, por nuk kemi probleme të njerëzve që flenë në rruge apo probleme të sigurisë si në Londër, kur ekziston ‘pandemia’e të goditurit me thika. Këto nuk ekzistojnë në Tiranë. Tirana ka disa sfida, të cilat do t’i përballojmë. Por, në probleme të sigurisë, Tirana është model”, shtoi Veliaj.