Kosova e nisi vitin e ri shkollor të premten e 1 shtatorit, por ndryshe nga vitet e shkuara, nxënësit e arsimit para-universitar, do të ulen në banka pa libra, sepse prindërit ende nuk i kanë siguruar. Sipas prindërve, vendimi i Ministrisë së Arsimit për blerjen e teksteve shkollore është vendim i vonshëm dhe i gabuar.
Prindërit, edhe këtë fundjavë, vazhdojnë të kërkojnë në librari, kjo nëse më herët kanë aplikuar në E-Kosova, për të marrë në llogaritë e tyre, 80 euro për ata që kanë fëmijë nga klasa e parë në të pestën dhe nga 30 euro, për ata që kanë fëmijë nga klasa e gjatë në të nëntën. Veç radhëve të gjata e vështirësive për t’i siguruar ato, prindërit flasin edhe për kosto të shtuara, bashkë me gjithë materialet e domosdoshme shkollore.
Ende këtë të diel, në librari, mungojnë sipas tyre, shumica e teksteve nga shtypshkronja të ndryshme. Ministria e arsimit I shpërndante librat falas për shkollat fillore që prej vitit 2008 por këtë vit të ri shkollor, 2023-2024, ministria e ndryshoi mënyrën e shpërndarjes, për shkak të dështimit siç ajo thotë, të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra.