Bashkimi Europian duhet të përcaktojë sa më shpejt një vizion të qartë për zgjerimin e unionit. Ky ishte mesazhi që dha presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen para eurodeputetëve, ku theksoi nevojën për të pranuar anëtarë të rinj, pa pritur që fillimisht të ndryshojë traktatet e veta themeluese.

“E ardhmja e Ukrainës, Moldavisë dhe Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Ne duhet të përcaktojmë një vizion për një zgjerim të suksesshëm. Ne kemi dëshmuar se mund të jemi një bashkim gjeopolitik dhe kemi treguar se mund të ecim shpejt kur jemi të bashkuar.

Ne duhet të thjeshtojë vendimmarrjen e anëtarësimit, mirëpo ne nuk mund dhe nuk duhet të presim që ndryshimi i traktatit të ecë përpara me zgjerimin. Unioni mund të punojë më mirë nëse janë të paktën 30 vende anëtare”.

Deklarata e saj vjen përpara një debati të lartë brenda BE-së për hapjen ndaj anëtarëve të rinj pas vitesh qëndrimi pezull mbi këtë çështje. Nëntë muaj para zgjedhjeve europiane, presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen ka theksuar domosdoshmërinë për ndryshime.

Ndërsa disa ligjvënës të BE-së kanë paraqitur një propozim të gjerë për ndryshimin e traktatit, shumë vende të BE-së janë kundër kësaj ideje.

Vendet anëtare të BE-së kanë nënshkrimin përfundimtar për pranimin e anëtarëve të rinj në bllok, megjithëse Komisioni Evropian jep drejtimin politik dhe do të publikojë një tabelë vjetore për përparimin e bërë nga vende të ndryshme muajin e ardhshëm.

Udhëheqësit evropianë do të diskutojnë anëtarësimin në një takim të Komunitetit Politik Europian në Spanjë më 5 tetor, dhe më vonë gjatë vitit në samitin e tyre të Këshillit Evropian në dhjetor.