Sali Berisha dhe dy njerëzit që bëjnë me radhë hiijen e tij, qysh nga dita kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën non grata për korrupsion thelbësor, Albana Vokshi dhe Flamur Noka, kishin gjetur sot më në fund sot, se nga kalon rruga për të ardhur në pushtet.

Jo me zgjedhje, se ato kanë shumë vite që nuk i fitojnë dot.

As me aleanca, se ato kanë shumë vite që i kanë hedhur në erë e nuk i bëjnë dot më.
As duke fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve, se ato i kanë humbur prej kohësh.

Rruga drejt pushtetit e Sali Berishës, Albana Vokshit dhe Flamur Nokës, ka kaluar nga… karriket e drurit të Kuvendit të Shqipërisë.

Pa nisur mirë punimet e Kuvendit, treshja, e ndjekur nga Gazmend Bardhi dhe disa deputetë të tjerë të grupimit Foltorja, i janë turruar karrikeve të Kryetares së Kuvendit dhe ministrave.

Ata deputetë të grupimit që kanë një sens më realist të situatës, nuk janë ulur vetë por thjesht i kanë përmbysur karriket e ministrave.

Të tjerë, si vetë Vokshi apo edhe ndonjë si Ina Zhupa, kanë nisur të ëndërrojnë me sy hapur dhe janë ulur vetë në karriket ku ëndërrojnë të ulen prej kohësh, por pa e kaluar dot pengesën që është vota e njerëzve të këtij vendi.

Të gjithë ata që prisnin të mësonin se cili do të ishte aksioni opozitar i shpallur me bujë nga Sali Berisha në konferencat e tij të paradrekave, kanë zbuluar se ai është thjesht një version i tkurrur i protestave të Lulzim Bashës, në kohën kur këtë të fundit vetë Sali Berisha e cyste nga mbrapa.

Ndryshe nga Lulzim Basha, Sali Berisha ka kuptuar se me Flamurin dhe Albanën nuk nxjerr dot njerëz në shesh. Dhe forcën e humbur nga braktisja që u kanë bërë qytetarët, kanë menduar ta shpalosin në kuvendin e Shqipërisë, aty ku kanë zënë karriket e drurit, me shpresën se do u mbushin mendjen demokratëve që një ditë, kushedi, mund të ulen vërtet në ato pozicione.