Komisioni Evropian, në mbledhjen e nivelit të lartë të Procesit të Berlinit nesër në Tiranë, do të parathotë një paketë të madhe me investime nga buxheti i Bashkimit Evropian. Paketën në detaje pritet ta paraqesë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fillim të muajit nëntor, kur edhe do të publikohet programi vjetor i zgjerimit me raportet e progresit për vendet që u janë hapur bisedimet për anëtarësim, si Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe vendet kandidate për anëtarësim, si Kosova dhe Bosnje-Hercegovina.

Kosova tashmë është nën masa ndërshkuese të BE-së, që përfshijnë edhe mosshqyrtimin e disa projekteve që financohen nga Bashkimi Evropian. Shpresohet që në Tiranë tonet të ulen për Kosovën dhe projektet të rifuten për shqyrtim, sidomos pas sulmit terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023. Serbia është nën orbitën e vendosjes së sanksioneve të BE-së, në varësi të rezultateve të hetimit për sulmin terrorist.

Axhenda e Konektivitetit (Ndërlidhjes) e Procesit të Berlinit
Procesi i Berlinit është një nismë e ish-Kancelares Angela Merkel të Gjermanisë në vitin 2014, për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në përafrimin e tyre me korridoret evropiane të ndërlidhjes, pas pasigurisë së krijuar nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në po këtë vit.
Procesi i Berlinit ka si plan kryesor planin e quajtur Axhenda e Konektivitetit(Ndërlidhjes). Kjo axhendë ka si objektiv përgatitjen dhe financimin e një numri projektesh të rëndësisë strategjike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë të lidhin vendet e Ballkanit Perëndimor me fort me njëra-tjetrën dhe me Bashkimin Europian. Fokusi është kryesisht në projekte të transportit, por dhe të ndërlidhjes energjetike. Një theks të veçantë ka marrë ndërlidhja dixhitale dhe tregu dixhital.
Deri në shtator 2023, në vlerë totale, Shqipëria përfaqësonte rreth 13% të projekteve të Axhendës (nga 7% në fund të vitit 2019 dhe 11 përqind në fund të vitit 2020), duke përmirësuar pozicionin e saj, për shkak të miratimit të dy projekteve të reja në samitin e Sofjes, për rehabilitimin e HEC-it te Fierzës dhe By-Pass-it të Tiranës. Shqipëria ka dhe shpërndarjen më të gjerë të investimeve në bazë sektori, duke përfshirë transportin, energjinë dhe sektorin dixhital.