Shqipëria po zbulohet gradualisht si një destinacion edhe nga nomadët digjitalë. Zhvillimi i teknologjisë po i lejon gjithmonë e më shumë individë që punojnë nga distanca, të realizojnë ëndrrat e tyre për të vizituar botën. I tillë është edhe rasti i Jasminit, një shqiptaro-boshnjak i lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me Jasmimin, një shqiptaro-boshnjak i lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishim takuar rastësisht në një kafenetë e shumta të Tiranës. Me laptopin e tij gjithmonë me vete, pjesë e pandashme e një “nomadi digjital”, ai u tregua i gatshëm të na tregojë fillimisht mbi prejardhjen e tij ballkanike.
“Prindërit e mi në fakt janë takuar në Amerikë. Gjërat nuk shkuan mirë. Babai im u kthye në Shqipëri, këtu në Tiranë dhe ime më qëndroi në Shtetet e Bashkuara. Mamaja ime është nga Sarajeva, nga Bosnje-Hercegovina. Gjithsesi jeta ka vijuar. Mund të them që jam mirë. Qëndroj i lidhur me familjen time. Siç është jeta”, thotë Kenjar.
Duke shfrytëzuar teknologjinë që lejon të punosh nga distanca, Jasmin po i shfrytëzon ditët e qëndrimit në Tiranë për një miks qëllimesh.
“Në fakt unë jam këtu për të punuar, por duke qenë se sapo jam martuar, jemi duke kaluar edhe muajin e mjaltit këtu. Gjithashtu pres të takoj për herë të parë familjarët e mi nga ana e babait që është një emocion më vete. Unë jam një inxhinier i rrjeteve të brendshme teknologjike. Thënë më thjesht programoj aplikacione për telefona dhe web-faqe”, shton ai
Duke shfrytëzuar diellin e këtyre ditëve të fund-tetorit që ndihet edhe më i ngrohtë në sheshin “Skënderbej”, Jasmin na tregon edhe se për çfarë është duke punuar tani.
“Tani jam duke ndihmuar skuadrën time për të ndërtuar nja web-faqe të re fitnesi në të cili mund të abonohesh online dhe të kontrollosh parametrat fizikë në kohë reale”, thekson nomadi digjital Jasmin Kenjar.
Përveç lidhjes tij të origjinës, arsyeja se pse Jasmin dhe të tjerë “nomadë digjitalë zgjedhin Shqipërinë për të jetuar e punuar lidhet edhe me lehtësitë që vendi ofron në drejtim të taksave.
“Në fakt kam dëgjuar vetëm për politikë “zero taksa” gjë që mendoj se është shumë e leverdishme. Në Amerikë ne taksohemi nga të gjitha anët. Mund të them se Shqipëria është më mirë në këtë drejtim. Kam dëgjuar gjithashtu edhe për kujdesin shëndetësor falas”, vijon ai.
Me synimin për të popullarizuar punën pa barriera duke joshur “nomadët digjitalë” qeveri ka ndërmarrë disa politika lehtësuese si vizat elektronike dhe mundësinë për të mos paguar tatim mbi të ardhurat për qëndrim deri në 12 muaj.