Shërbimi i Gastrohepatologjisë në bashkëpunim me Kirurgjinë e Përgjithshme në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit, kanë realizuar një ndërhyrje të nivelit të lartë kirurgjikal.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale tha se “u realizua heqja e Karcinomës Gastrike – Ca Gastrit tek një pacient 49-vjeç, i cili u diagnostikua gjatë procedurës së endoskopisë me kancer të stomakut. Pas ndërhyrjes së mjekëve, pacienti gëzon shëndet të plotë”.
“Operacioni i suksesshëm u krye nga ekipi turko – shqiptar, Dr. Alti Haxhiu, Dr. Altin Ngjeci, Dr. Anestezist Andi Gjini dhe infermieret Ina Shahu e Zejnep Aydin”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu shprehu mirënjohjen për përkushtimin dhe punën e stafit të këtij spitali, i cili sipas saj, ofron shërbime me standard dhe cilësi për të gjithë qytetarët në jug të vendit.
Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, ofron shërbime të nivelit terciar, për të gjithë rajonin e jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.
Spitali Memorial Rajonal Fier ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.
Në maj 2021, në Spitalin Memorial të Fierit u krye me sukses ndërhyrja e parë kirurgjikale.
###
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid0fvPTVkD8Wx5Dk5Fb9y28c2ji4qof5sRJhmGFBt6ukyFdA6i5erdLSEdpjWYzacLjl&id=61550901522643