Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, është përjetësuar në bronz. Me ceremoni solemne, të shtunën, është përuruar busti i saj në fshatin e lindjes, në Pagarushë. Busti, vepër e skulptorit Agon Qosja, është zbuluar nën tingujt e këngës ikonike të saj, “Baresha”, në praninë e autoriteteve lokale, familjarëve e miqve të ikonës së muzikës shqipe. Përurimit i kanë paraprirë nderimet te varri i saj. Realizimi i bustit ishte nismuar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, organizuar nga Komuna e Malishevës në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur realizimin e këtij busti.

“Falënderoj të gjitha ata që kanë përkrahur që ky bust të jetësohet dhe Pagarusha të ketë një rojtare të kulturës dhe të trashëgimisë sonë kulturore”, ka thënë Kastrati.

Një nga ditët më emocionuese të qëndrimit të tij në Kosovë, e ka cilësuar ambasadori Qemal Minxhozi ditën e përurimit të bustit të Pagarushës. Ka thënë se në Pagarushë i ka mbledhur “një nga vajzat epokale të Kosovës”. “Më vjen mirë që në ceremoni shoh shumë vajza, shumë të reja që kanë ardhur këtu për ta parë nga afër që Nexhmija nuk ka ikur, është e gjallë me këtë bust kaq të bukur”, ka thënë Minxhozi.

Ceremonia ka vazhduar me program artistik në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë.

Nexhmije Pagarusha vdiq më 7 shkurt të vitit 2020. Përmes zërit të saj janë interpretuar mbi 150 këngë në periudhën mes viteve ’50 dhe mesit të viteve ‘80. Ajo është nderuar me medalje presidenciale për veprimtari jetësore. Ka marrë titullin “Nderi i kombit” dhe është nderuar me çmime të shumta.