Ashtu si edhe kryeministri Albin Kurti, edhe kreu i Nismës SocialDemokrate, Fatmir LImaj thekson se pas sulmit në Banjskë gjerat nuk mund të jenë më siç kanë qenë. Por ndryshe nga Kurti, ai thekson se tashmë është momenti që Kosova të ndryshoje sjelljen e vet në raport me veriun dhe me faktorin ndërkombëtar.
Fatmir Limaj: Besoj se të dielën status-quoja është mbyllur e është hapur një fazë e re e agresionit, prandaj edhe Kosova duhet t’i ndryshojë politikat e saj. Duhet të ketë një qasje krejt ndryshe në raport me atë pjesë, Serbinë por edhe me faktorin ndërkombëtar. Kosova më shumë se kurrë duhet të tregojë pjekuri, maturi. Politika kosovare është në testin e fundit për të treguar shkathtësi, seriozitet me angazhimet e veta.
Ndërsa shpreh shqetësimin për fazën e komplikuar dhe të rëndë ku është futur Kosova, ai nënvizon se së pari duhet të ndryshojë sjella e qeverisë.
Fatmir Limaj: Qeveria duhet të ketë kujdes nga arroganca, duhet të ikë nga entuziazmi që mund ta mbytë atë por të punojë fortë e ta ndërtojë një pozicion të favorshëm për Kosovën në tavolinën e bisedimeve, e këtë rast ia ka dhënë Policia e Kosovës.
Kreu i Nismës thotë se shtimi i forcave të KFOR në Kosovë është i mirëpritur, por ai shprehet kundër ndryshimit të rolit të këtij misioni nga paqeruajtës në një polici të mirëfilltë.