Tek një e treta e adoleshentëve dhe tek një e treta e grave shtatzëna apo atyre që sapo kanë lindur foshnja ka prezencë të një lloji të ankthit dhe depresionit. Kështu thonë të dhënat e hulumtimit të fundit të Klinikës për Psikiatri në nivel kombëtar. Psikologët i cilësojnë këto të dhëna shqetësuese, ndërsa nënvizojnë se ndikim në rritjen e këtij numri ka pasur pandemia kovid.

“Dua të vendos theks të veçantë tek kategoritë e prekura të qytetarëve, ata janë fëmijë, adoleshentë, gra, persona më të moshuar. Hulumtimet tona të fundit e tregojnë pikërisht për këtë, respektivisht hulumtimi që e kemi bërë në nivel kombëtar, me mbështetjen e UNICEF-it, janë dy që i përfshijnë adoleshentët si kategori e prekur dhe ndikimi i pandemisë kovid, respektivisht gjithçka që ndodhi me kovidin, veçanërisht masat restriktive dhe mbi gratë që janë shtatzëna, që kanë lindur ose që duan të realizohen si nëna”, deklaroi Sllavica Arsovska, Klinika Universitare për Psikiatri.

“Prishja e shëndetit mendor tek nëna, veçanërisht në vitin e parë të jetës së fëmijës, ndikojnë në lidhjen mes nënës dhe fëmijës dhe ndikojnë në ndikimin e përgjithshëm të fëmijës… ”, u shpreh Stefanija Mitrovska, Klinika Universitare për Psikiatri.

Nga Klinika për Psikiatri thonë se numri i sëmundjeve mendore ka shënuar rritje, sidomos depresioni, por nënvizojnë se bashkë me të është rritur edhe vetëdija dhe njohja e simptomeve të hershme dhe kërkesa e ndihmës.

“Mirëqenien shëndetësore mendore faktikisht stresi është numër një, faktor tjetër është biologjik ose të trashëguar, tjerët faktorë i kemi faktorët social, tek të cilat mundemi me ndërhy, mirëpo ka disa faktorë të cilët nuk mundemi t’i evitojmë, këto janë rrethanat e përditshme, aktivitetet e përditshme, këto janë faktorët që bijnë deri te një çrregullim mental”, nënvizoi Behije Nuhii, Klinika Universitare për Psikiatri, raporton Alsat.

Gjatë shënimit të Ditës Ndëkomëtare të Shëndetit Mendor, psikologët bënë thirrje që të ofrohet sa më shumë mbështetje sociale për personat që kanë probleme me shëndetin mendorë, të mos stigmatizohen ata, pasi kjo do të rriste rrezikun për përkeqësimin e situatës.