Një panoramë me kodra e lugina të gdhendura mes akujve nga lumenj të lashtë, me masë thuajse sa Belgjika e sotme, janë zbuluar nën akullin e kontinentit të mistershëm të Antarktikës.
Zonat që besohen se kishin mbetur të fshehura prej dhjetra miliona vjetësh po ekspozohen së fundmi sipas studiuesve britanikë e amerikanë prej ngrohjes së motit.
“Është një panoramë mbi të cilën nuk ka hedhur askush sytë më parë,” tha prof. Stewart Jamieson, i Universitetit Durham dhe drejtues i studimit.
Zona që shtrihet në rreth 32,000 km katrorë besohet se ka qenë më parë e mbushur me pemë, pyje e ndoshta dhe kafshë.
Por kur erdhi koha e akullit, ajo mbeti “e ngrirë në kohë”, thotë Jamieson.
“Ajo që është emocionuese është fakti që nuk është zbuluar më parë dhe kishte mbetur si të thuash e fshehur, por në dukje të plotë”.
Ai shtonte se nuk ishin përdorur të dhëna të reja për gjetjen e saj por vetëm një qasje e re studimi.
Mënyra për të parë poshtë akullit ishte ajo e fluturimit me një avion që dërgon valë radio në akull dhe analizimi i jehonës së tyre, në teknikën e quajtur radio-eko.
Por të bësh këtë është një sfidë serioze pasi Antarktika është më e madhe se kontinenti Evropës.
Kërkuesit përdorën dhe imazhet ekzistuese satelitore për të hartuar relievin e panoramës rreth 3 km poshtë tyre, tha, Jamieson sipas rrjetit britanik The Guardian.
Ai shton se sipërfaqja e valëzuar e akullit harkohet butë mbi këto tipare të fshehura, shton profesori.
Kombinimi i këtyre me të dhënat e radio-ekos plotësonte imazhin e panoramës natyrore me lugina të thella, kodra e lumenj të ngjashëm me ato në sipërfaqen e tokës.
“Ishte pak a shumë si të shikoje jashtë nga dritarja e një avioni”, tha Jamieson duke krahasuar panoramën me atë të Snowdonia në Uells.
Studimi u publikua një ditë pasi shkencëtarët paralajmëronin se shkrirja e akujve mund të përshpejtohet në dekadat në vijim.