Nga Rajmonda Basha/
Shqipëria numëron 232 autovetura për 1 mijë banorë.
Kështu rezulton nga kqyrja e statistikave nga raporti i INSTAT për mjetet e regjistruara në vitin 2022.
Numri gjithsej i mjeteve rrugore me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht” që qarkulluan në territorin e Republikës së Shqipërisë në vitin 2022, rezulton 796 mijë e 438 mjete, nga 740 mijë e 669 mjete të regjistruara deri në vitin 2021, duke u rritur me 7.5 %.
Referuar publikimit, në kategorinë e mjeteve rrugore sipas llojit, përqindjen më të madhe ndaj numrit gjithsej të mjeteve rrugore e zënë “autoveturat” me 80.3 %, ndërkaq “automjetet për transport të përzier “ zënë 6.5 % të vëllimit dhe “motor” zënë 5.4 %.
Shkalla e motorizimit, matet me numrin e autoveturave për 1 mijë banorë, tregues i cili ndër vite ka ardhur me rritje.
Në vitin 2022, numri i autoveturave për pasagjerë për 1 mijë banorë është 232.
Në vitin 2021, ky tregues ishte 212 autovetura për 1 mijë banorë.
Në tremujorin e parë 2023, gjatësia e rrjetit rrugor në shfrytëzim është 3.606 km, klasifikuar sipas kategorive të ndryshme, si autostradë, rrugë interurbane apo urbane dhe rrugë lokale.
Rrugët interurbane dytësore zënë rreth 74,2% të gjatësisë së rrjetit rrugor. Gjatë tremujorit të parë 2023, janë regjistruar gjithsej 14.460 mjete te reja, nga të cilat 27 lloje mjetesh dhe 276 marka mjetesh.
Marka e njohur gjermane e prodhimit të automobilave, Mercedez-Benz, ka qenë në 30 vitet e fundit të demokracisë e preferuara e shqiptarëve dhe sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri, Instat, kjo markë vijon të mbetet e tillë.
Ndër 740 mijë mjetet e regjistruara në Shqipëri, 29.1% e tyre janë të prodhimit Mercedes-Benz ose Daimler Chrysler (degë e Mercedesit në vitet 1998-2007).
E radhitur në vend të dytë, është kompania Volkswagen për nga numri i automjeteve në Shqipëri, duke zënë 17.5% të mjeteve në përdorim.
Gjigandi amerikan, Ford, radhitet i treti me 9.8% të tregut e më pas ndjekin gjermanët e Opel me 5.3%, Audi me 5.4% dhe japonezët e Toyota me 4.4% të tregut.
Italianët e grupit Fiat, radhiten të shtatit me vetëm 3.9% të tregut, të ndjekur nga BMW me 3.3%, Renault me 2.8%, e për të vijuar më pas me kompani të tjera, të cilat së bashku zënë 18.4% të gjithë tregut.
Pavarësisht këtij raporti, është interesant të shihet në të dhënat e publikuara nga Instat, se si dy marka jo shumë të përdorura më parë në Shqipëri, po zënë vend në treg.
Bëhet fjalë për koreano-jugorët e Hyundai dhe çekët e Skoda.
Të parët, në intervalin e dhjetëvjeçarit kohor 2011-2021, kanë arritur të zënë 6.3% të tregut të automjeteve të shitura apo ardhura përmes pikave doganore.
Skoda nga naa tjetër, ka marrë 4.9% të tregut, duke lënë pas japonezët e Toyota dhe Fiat, të cilët ndajnë shifra vetëm pak mbi 3%.
Gjithsesi, pavarësisht kësaj, edhe në intervalin e dhjetëvjeçarit të fundit, Mercedes-Benz mbeten automjetet më të shitura, me 21.3% të tregut dhe Volkwagen, me 15.5%.
Mbi llojin e karburantit të përdorur, shumica e mjeteve kanë për lëndë të parë djegëse naftën, përkatësisht 73.6% e tyre. vetëm 17.3% djegin benzinë dhe 8.7% të tjera, janë vetura të cilat operojnë me benzinë dhe gaz.
Mjete hibride apo elektrike, janë më pas se 0.5% e totalit.
Pjesa më e madhe e tyre (62.6%), janë mjete me kambio manuale, kur automatike janë vetëm 36.3%.
Mbi vëllimin motorik, sipas Instat, 67.2% janë nën 2 mijë cc, 30.2% mes 2 mijë dhe 3 mijë cc si edhe 2.6% mbi 3 mijë cc.