Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka komentuar situatën e tensionuar në veri të Kosovës pas sulmit të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë polici Afrim Binjaku. Në një intervistë për ‘La Repubblica’, Osmani flet për të gjitha nga ‘akti terrorist’, siç ajo e quan, deri tek marrëdhëniet me SHBA e BE, si edhe procesin e dialogut me Serbinë.

Presidentja Osmani flet edhe për vendosjen e forcave të armatosura të Serbisë në kufi me veriun e Kosovës, duke thënë se Aleksandër Vuçiç po përpiqet që të kryejë një tjetër akt agresioni. Sa i takon sulmit të 24 janarit, Osmani thotë se Vuçiç me armët e Rusisë po mendon aneksimin e Mitrovicës së Veriut sipas modelit të Krimesë. Por e para e Kosovës shprehet për mediat italiane se Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë e saj me çdo kusht dhe se NATO është me ta.

“Ai ka pasur gjithmonë pretendime territoriale, tani ai dëshiron të përdorë modelin e Putinit për një aneksim të stilit të Krimesë. Natyrisht nuk do ta lejojmë. Ne punojmë me forcat e NATO-s për të mbrojtur liritë tona të fituara me vështirësi, pavarësinë tonë”, tha Osmani.
Sa i takon procesit të dialogut, Osmani shprehet se Kosova është treguar e gatshme që të zbatojë marrëveshjet, por nga ana tjetër Serbia nuk ka zbatuar asgjë. E pyetur nëse do ketë një takim me palën serbe, Osmani thotë se sulmi duhet të ndezë reflektim në Bashkimin Europian dhe nëse kërkojnë një dialog të frytshëm, presidentja e Kosovës bën thirrje që BE të ndryshojë qasjen ndaj Vuçiçit.

“Jo, asgjë nuk është planifikuar. Në këtë moment duhet të përballemi me përgjegjësinë e Vuçiqit për sulmin ndaj Kosovës dhe për lëvizjet në kufi. Sulmi terrorist i datës 24 duhet të ndezë reflektim në BE: nëse dëshiron një dialog të frytshëm, do të duhet të ndryshojë politikën e saj ndaj Vuçiqit”.
Intervista e plotë për ‘La Repubblica’, përshtati në shqip Shqiptarja.com

Së pari sulmi në Banjskë, tani trupat serbe në kufi. Presidentja Vjosa Osmani, çfarë po ndodh në Kosovë?

“Ka prova të pakundërshtueshme. Serbia ka kryer një akt agresioni më 24 dhe po përgatitet të kryejë një akt tjetër duke forcuar forcat e armatosura dhe artilerinë në kufirin me Kosovën. Është diçka ndryshe nga ajo që kemi parë në 25 vitet e fundit, e paprecedentë. Serbia ende udhëhiqet nga mentaliteti i Millosheviçit dhe përpiqet të fshijë gjithçka që Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe populli ynë kanë arritur në dy dekada: paqen, stabilitetin dhe lirinë”.

A mendoni se Beogradi dëshiron të pushtojë Kosovën?

“Ai ka pasur gjithmonë pretendime territoriale, tani ai dëshiron të përdorë modelin e Putinit për një aneksim të stilit të Krimesë. Natyrisht nuk do ta lejojmë. Ne punojmë me forcat e NATO-s për të mbrojtur liritë tona të fituara me vështirësi, pavarësinë tonë”.

A shihni një rrezik konkret për orët apo ditët e ardhshme?

“Alarmi i ngritur nga SHBA është shumë, shumë real. Ata duan të hyjnë në Kosovë dhe të marrin pjesë të territorit tonë. Ka shumë dëshmi se situata është jashtëzakonisht shqetësuese. Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë e saj me çdo kusht dhe se NATO është me ne”.

A dini për një plan sulmi? A synojnë veriun apo edhe Prishtinën?

“Ne jemi ende duke mbledhur prova, nuk është koha për t’i bërë publike. Historikisht ata janë më të interesuar për Veriun”.

Pse e akuzoni presidentin serb Vuçiq se është vërtet përgjegjës për sulmin e datës 24 në Banjska?

“Për shkak se ai është drejtuesi i këtyre bandave, ai ka qenë gjithmonë drejtues i këtyre bandave: i ka trajnuar dhe paguar, i ka dhënë urdhra dhe së shpejti do të bëhet e qartë se ai ka drejtuar operacionin, padyshim me ekzekutorë të tjerë. Është metoda e Millosheviçit në fillim të viteve 1990: ai i përdori këto banda për aksione paraushtarake në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, por ai tha: “Nuk kisha asnjë lidhje me të”. Në fund u zbulua se ai ishte truri i të gjitha luftërave gjenocidale në ish-Jugosllavi, të cilat filluan me këtë lloj operacioni që dishepulli i tij, Aleksandar Vuçiq, po e kryen tani në Kosovë”.
Kush është aleati juaj më i mirë?

“Për arsye të dukshme historike, SHBA. Ata udhëhoqën botën demokratike duke ndihmuar Kosovën të arrijë lirinë dhe pavarësinë, dhe tani ata udhëheqin për të siguruar që paqja, stabiliteti dhe liria të ruhen në Kosovë dhe në mbarë botën. Por nuk thashë që BE-ja nuk është aleate: Kosova është vendi më pro-evropian në botë, mbi 90% janë për integrim”.

Pse procesi i paqes ka mbetur i bllokuar?

“Vuçiq abuzoi me politikën aktive të qetësimit të një pjese të BE-së ndaj tij. Kanë kaluar 12 vite dialog dhe ai nuk ka zbatuar shumicën e marrëveshjeve. Krijoi tensione dhe destabilizoi rajonin, por BE-ja nuk mori asnjë masë kundër Serbisë. Është i vetmi vend në Evropë që nuk ka lançuar sanksione kundër Putinit dhe më shumë distancohet Serbia, BE aq më shumë e financon. Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga parimet themelore të BE-së, por nuk funksionoi: kështu inkurajohet Vuçiq të bëhet edhe më dominues.

A është Putin pas kësaj krize apo nuk ka asnjë lidhje me të këtë herë?

“Sigurisht, dhe nuk e fshehin: ata e mbështesin Serbinë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Kjo krizë është në interesin e Rusisë: ajo dëshiron që konfliktet në tokën evropiane të largojnë vëmendjen nga Ukraina. Kosova është dëshmi se çfarë mund të arrijnë demokracitë kur bashkohen për liri, pavarësi dhe demokraci; dhe Putinit nuk i pëlqen kjo. Ai e di që me këtë model do të humbasë edhe luftën në Ukrainë”.

Pse nuk i zgjidhni tensionet duke krijuar asociacionin e komunave serbe të paraparë me marrëveshjen e paqes?

“Nëse do të shkonit në kufi dhe do të shikonit ushtrinë e dislokuar nga Serbia, po të kishit parë grupet kriminale dhe terroriste që ata kanë trajnuar deri më tani, do ta kuptonit: Kosova gjithmonë ka përsëritur se dëshiron t’i zbatojë të gjitha obligimet, por nuk ka kuptim që Kosova të zbatojë gjithçka dhe Serbia asgjë. Vuçiq ka thënë tashmë se nuk do të bëjë pjesën e tij”.

A do ta takoni?

“Jo, asgjë nuk është planifikuar. Në këtë moment duhet të përballemi me përgjegjësinë e Vuçiqit për sulmin ndaj Kosovës dhe për lëvizjet në kufi. Sulmi terrorist i datës 24 duhet të ndezë reflektim në BE: nëse dëshiron një dialog të frytshëm, do të duhet të ndryshojë politikën e saj ndaj Vuçiqit”.