Në kuadër të Tetorit Rozë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Kryetari i Bashkisë Fier Armando Subashi, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj, deputetë, gra e vajza, u mblodhën në Fier, ku zhvilluan një aktivitet ndërgjegjësues për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Në fjalën e saj Ministrja Koçiu theksoi se kanceri i gjirit prek jo vetëm gruan, por edhe familjen e saj e cila vuan bashkë me gruan.
“Nuk janë takime vetëm për gra e vajza, janë takime për familjen, për shoqërinë, për të sensibilizuar gjithnjë e më shumë çdo vend që është shumë e nevojshme të jemi bashkë për kauza të tilla ndërgjegjësimi,”- theksoi ministrja.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë gjithë këtyre viteve ka ndjekur një program të suksesshëm, sidomos ndaj depistimit dhe luftës kundër kancerit të gjirit. Janë kabinetet e mamografive falas në spitalet rajonale, është mamografia lëvizëse e cila bën të mundur që të shkojë aty ku aksesi është i kufizuar.

Sipas znj. Koçiu mamografitë falas, janë një mbështetje pikërisht për këto gra e vajza të cilat kanë për të vështirësi për të aksesuar kabinetet e mamografisë në spitalet rajonale.
“Pa diskutim që gjatë këtyre viteve në listën e barnave 100% të rimbursueshme nga shteti, pra listën e barnave falas, janë futur edhe medikamente novative si herceptina që u vjen në ndihmë të gjitha grave të cilat vuajnë nga një sëmundje e tillë. Pa diskutim nuk është mjaftueshëm. Duhet të vijojmë akoma më shumë, të flasim akoma më shumë”, tha Koçiu.

Znj. Koçiu theksoi se asnjë shenjë dyshuese për kancerin e gjirit nuk duhen neglizhuar.
“Pikërisht për këtë ne kemi bërë të mundur një sistem dhe jemi duke u përpjekur ta ngremë gjithnjë e më shumë një sistem alerti që i vjen në ndihmë çdo nëne, çdo gruaje për t’i kujtuar që duhet të bëjë kontrollet periodike jo vetëm gjatë muajit tetor, muajit që ne e kemi dedikuar për sensibilizimin e kësaj sëmundjeje, por përgjatë gjithë vitit,” – tha ministrja.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla apeloi për kontrolle të vazhdueshme që duhen kryer në kohë, për të fituar betejën me këtë sëmundje, që brenda vitit të kaluar mori 700 jetë. Ai foli për rritje të ndërgjegjësimit.

“Kam një apel për burrat, të bëjnë një gjest duke qenë ata iniciuesit, që ta marrim bashkëshorten, nënën, motrën ta çojnë për kontroll në spital të bëjnë mamografinë, duke treguar dashuri. Jam i bindur që sa më shumë i japim zë këtij muaji, dedikuar dashurisë më shumë do ta fitojmë betejën”, tha ministri i Brendshëm.

Ministri Balla theksoi domosdoshmërinë e krijimit të një shembulli të mirë për fitimin e kësaj beteje.
Muaji tetor njihet ndryshe si “Tetori rozë”, muaj kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Qëllimi është të rritet numri i ekzaminimeve për kapjen e hershme të kancerit dhe për rritjen e mundësive për një shërim të plotë të gruas.