Muralja “Duaje veten” në oborrin e bashkisë Shkodër do të jetë një kujtesë për gratë dhe vajzat që të kujdesen për veten dhe të kryejnë ekzaminimet për kancerin e gjirit, jo vetëm gjatë muajit tetor, por përgjatë gjithë vitit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu iu bashkua mesazhit sensibilizues të punonjëseve të Shërbimit Social të bashkisë Shkodër dhe Njësisë së Kujdesit Vendor të këtij qyteti.
“Lufta për kancerin e gjirit është një betejë e përbashkët”, – thekson Koçiu në një postim nërrjetet sociale.
Ministrja u bëri apel grave që të mos i shmangin ekzaminimet, pasi, siç u shpreh ajo, “diagnostikimi në kohë është jetëshpëtues”.
Muaji tetor njihet ndryshe si “Tetori rozë”, muaj kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Qëllimi është të rritet numri i ekzaminimeve për kapjen e hershme të kancerit dhe për rritjen e mundësive për një shërim të plotë të të prekurave.
Kabinetet e mamografisë në institucionet shëndetësore publike, gjatë muajit tetor po ofrojnë ekzaminimin e mamografisë së gjirit, nga dita e hënë deri të premte, ora 08:00-18:00 dhe të shtunën deri në orën 14:00.
Ndërkohë, mamografia e lëvizshme është e pranishme në të gjitha qytetet e vendit.
Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek gratë, si në botë, ashtu edhe në Shqipëri. Të dhënat tregojnë se ka një trend në ulje të vdekshmërisë së standardizuar, që lidhet me diagnostikimin e hershëm dhe kryesisht me trajtimin e sëmundjes.