Jo më shumë se 3000 migrantë në të njejtën kohë. Kjo është shifra e personave që do të strehohen në Shqipëri, bazuar mbi marrëveshjen e fundit, të firmosur nga kryeministri Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Agjencia për Media dhe Informim ka zbardhur nenet që rregullojnë dhe garantojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Konkretisht, neni 3 i marrëveshjes përcakton se Italia merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse.
Ndërsa Neni 4 garanton se është Italia ajo që do të ngrejë tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve. Po ky nen përcakton edhe Kufirin Maksimal të migrantëve të strehuar: jo më shumë se 3000 migrantë të strehuar në të njëjtën kohë.
Po ashtu, Italia ndërton me shpenzimet e saj, strukturat mbështetëse për sigurinë jashtë perimetrit të strukturave pritëse.
Neni 6 i marrëveshjes specifikon se Italia do të përballojë të gjitha shpenzimet për migrantët e strehuar, përfshirë:
-çdo kosto të kujdesit shëndetësor
-çdo kosto tjetër e paparashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare
Neni 9 i marrëveshjes specifikon se afati maksimal kohor i qëndrimit të një emigranti, nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për të kryer procedurat e azilit/ mbrojtjes
Në përfundim të procedurave, pala italiane kryen me shpenzimet e saj, largimin e migrantëve nga Shqipëria.