13 Nëntor, Tiranë- Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Mnastirliu, gjatë një komunikimi me median ka bërë me dije nisjen e një reforme të thellë në Arsimin Parashkollor, për të siguruar ligjshmëri dhe standarde për edukimin dhe arsimimin të fëmijëve deri në 6 vjeç, në institucionet e arsimit parashkollor. Ministrja Manastiliu ka theksuar se nuk do të ketë asnjë tolerancë për subjektet që janë të pa licensuara.
“Përmes një serie masash konkrete, do të fuqizojmë të gjitha hallkat e monitorimit dhe inspektimit, me tolerancë zero ndaj çdo forme të dhune, gjuhës së urrejtjes, apo çdo fenomeni që dëmton mirërritjen e fëmijëve. Në krye të listës së prioriteteve të punës së Ministrisë së Arsimit, do të jetë Reforma e Arsimit Parashkollore”,- deklaroi Ministrja Manastirliu.

Reforma e Arsimit Parashkollor do të konsistojë në rishikimin e plotë të paketës së akteve ligjore e nënligjore. Vendosjen e standardeve të reja të kujdesit, edukimit dhe arsimimit të fëmijëve deri në 6 vjeç, në institucionet e arsimit parashkollor, me fokus rishikimin e kurrikulës dhe mbështetjen edukatorëve/mësueseve në arsimin parashkollor. Forcimin e strukturës së inspektimit dhe instrumentave të monitorimin dhe veprimtarisë së subjekteve ofrues të shërbimeve parashkollore. Ngritjen dhe fuqizimin e mekanizmave të parandalimit dhe sinjalizimit të hershëm në arsimin parashkollor, kundër çdo forme dhune apo çdo fenomeni të dëmshëm që cënon shëndetin dhe mirëqënien e fëmijëve tanë. Një kornizë të re për Vlerësimin të Cilësisë në Arsimin Parashkollor me standartet e reja për punësimin dhe edukimin në vazhdim të edukatorëve në këtë sistem. 
 
Ministrja Manastirliu, tha se nga puna në terren e Task-Forcës me kontrolle në gjithë territorin, në vetëm pak ditë janë inspektuar 90 subjekte kopshte jo-publike.  
“Është konstatuar se 67 kopshte jo publike ushtrojnë veprimtarinë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përmbushin kriteret e ligjshmërisë. 8 subjekte jopublike (kopshte) rezultojnë të mos kenë aplikuar pranë MAS për licensimin përkatës dhe 2 subjekteve i është refuzuar licensimi, për të cilat inspektorët në DPAP po kryen verifikimet e nevojshme dhe në përfundim do të merren masat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi. 13 subjekte jo-publike rezultojnë se e ushtrojnë veprimtarinë, me statusin e qendrave ditore apo komunitare për fëmijët. Pra këto struktura ofrojnë shërbime për fëmijët 3-6 vjeç bazuar në një kuadër tjetër rregullator dhe monitorohen nga struktura të tjera shtetërore sipas legjislacionit në fuqi”,- ka bërë me dije Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, gjatë komunikimit me median, teksa tha se në rast të mos-plotësimit të dokumentacionit dhe pajisjes me licencën përkatëse, për të gjitha subjekete do të vijohet me masat administrative që parashikon ligji, gjobë në vlerën nga 500 mijë deri në 1 milion lekë të reja dhe ndërprerje e menjëhershme e veprimtarisë. Paralelisht praktikat do t’u referohen organeve kompetente bazuar në legjislacionin në fuqi.
 
Manastirliu nënvizoi se kjo reformë në Arsimin Parashkollor, ka në fokus edhe zgjerimin e stafeve në kopshte dhe mbështetjen e edukatorëve nëpërmjet rritjes së pagave dhe edukimin në vazhdim.
“Kjo reformë këtë ka për fokus dhe për të rritur numrin e edukatorëve, por jemi të fokusuar edhe përsa i përket një tjetër aspekti, që lidhet pikërisht me mbështetjen financiare, rritjen e pagave të edukatorëve dhe nga ana tjetër dhe me edukimin në vazhdim, kualifikimin në vazhdim të tyre”, nënvizoi Ministrja Manastirliu.
 
Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka publikuar në faqen e saj zyrtare, Listën e Institucioneve Parashkollore, publike dhe private, listë e cila është në përditësim: 

https://arsimi.gov.al/femijet/ 

MAS është e angazhuar plotësisht në monitorimin e zbatimit të standardeve të edukimit dhe arsimit në kopshte dhe shkolla publike dhe jo-publike. Për të realizuar punën në terren MAS po bashkëpunon ngushtësisht me të gjitha Bashkitë, Inspektoriatet e Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Inspektoriatin e Shtetëror Shëndetësor, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, QKB dhe Policinë e Shtetit.