Punonjësit e Policisë, shërbimet zjarrfikëse dhe ato të Emergjencave Civile në Përmet iu kanë shkuar në ndihmë, në mesnatë, 23 turistëve gjermanë, polakë dhe francezë, të cilët kishin mbetur të bllokuar te “Banjat e Bënjës”, për shkak të motit të keq.

Paraditen e sotme, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me ato të Emergjencave Civile, bënë të mundur edhe nxjerrjen e automjeteve dhe dorëzimin e tyre te turistët, të cilët mesditën e sotme kanë vijuar lëvizjen për në destinacionet e radhës që do të eksplorojnë në vendin tonë.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, shërbimet zjarrfikëse dhe ato të Emergjencave Civile, mesnatën e djeshme, kanë marrë njoftim se gjatë eksplorimit të natyrës, me këmbë dhe me automjete, 23 turistë kanë mbetur të bllokuar, në vendparkimin e zonës së quajtur “Banjat e Bënjës”, në Përmet, pasi automjetet e tyre nuk qarkullonin dot për shkak se rruga ishte prishur si pasojë e daljes së lumit, nga moti i keq.

Pavarësisht reshjeve të shumta të shiut, pas 2 orësh punë intensive, turistët janë nxjerrë nga automjetet e tyre në vendin ku kishin mbetur të bllokuar, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në banjat e Bënjës, nga reshjet e shiut. Turistët janë transportuar dhe janë akomoduar në hotel, në qyetin e Përmetit, ku janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjithashtu, paraditen e sotme, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me ato të Emergjencave Civile, bënë të mundur dhe nxjerrjen e automjeteve të turistëve, që ndodheshin në vendparkimin e banjave të Bënjës. Automjetet iu janë dorëzuar turistëve të cilët kanë vijuar lëvizjen për në destinacione të tjera në vendin tonë.

Turistët kanë falënderuar shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe shërbimet e Emergjencave Civile, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë, duke iu shpëtuar jetën dhe duke iu dorëzuar automjetet e tyre.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.