Media e njohur italiane “Arte Sky”, i ka kushtuar një hapësirë të veçantë transformimit të Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë në Ballkan. Arte Sky thekson se kjo qendër e re kulturore, arsimore dhe tërheqëse e Shqipërisë, e cila ndodhet në zemër të Tiranës, është rinovuar plotësisht për të akomoduar në hapësirat e saj të rinjtë dhe studentët që do të mësojnë kodim.

Artikulli i plotë:

Falë projektit restaurues nga studio holandeze MVRDV, kjo strukturë historike shqiptare është kthyer në një qendër kulturore inovative, e pajisur me klasa, zyra dhe hapësira publike. I konceptuar fillimisht si një muze kushtuar ish-diktatorit komunist, ndërtesa tani mirëpret një sërë funksionesh kolektive dhe është pjesërisht e dedikuar për aktivitetet jashtëshkollore të nxënësve.
Kjo qendër e re kulturore, arsimore dhe tërheqëse e Shqipërisë ndodhet në zemër të Tiranës. Falë projektit të studios holandeze MVRDV, Piramida ikonë e kryeqytetit shqiptar është rinovuar plotësisht dhe më shumë se tridhjetë vjet pas ndërtimit të saj, është shndërruar në një “skulpturë të banueshme” e gjithanshme, që synon të akomodojë në hapësirat e saj, kryesisht të rinjtë dhe studentët.

QENDRA E RE KULTURORE E TIRANËS
Duke e mbajtur të paprekur strukturën origjinale, MVRDV i ka dhënë një pamje të re arkitekturës imponuese, duke e modernizuar dhe rizhvilluar atë përmes krijimit të hapësirave multifunksionale, klasave, zyrave, laboratorëve për biznese fillestare dhe zonave rekreative. Një pjesë e ndërtesës do të jetë e hapur për publikun; tjetra do të presë TUMO-n, një qendër mësimdhënie që ofron një sërë aktivitetesh jashtëshkollore falas, që kanë të bëjnë me teknologjinë, muzikën dhe kinemanë, për të rinjtë e moshës 12 deri në 18 vjeç. Përveçse është vënë në dispozicion të komunitetit lokal si kurrë më parë, Piramida e rinovuar e Tiranës përmbush edhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të përshkruara nga Kombet e Bashkuara. “Duke pasur parasysh se ishte ndërtesa më e shtrenjtë që kishte ndërtuar ndonjëherë shteti komunist, në një periudhë ku popullsia shqiptare jetonte e shtypur e në varfëri, hoqëm të gjitha simbolet që lavdëronin diktaturën. Ne kemi ruajtur disa detaje origjinale, në mënyrë që vizitorët të jenë të vetëdijshëm për të kaluarën e errët të ndërtesës. E cilësuar dikur si “Mauzoleumi i Enver Hoxhës”, Piramida e re tashmë është bërë një monument për njerëzit dhe aftësinë e tyre për të kapërcyer dhe mbijetuar mbi diktatorët,” – u shpreh Viny Maas, bashkëthemelues i MVRDV.

HISTORIA E PIRAMIDËS SË TIRANËS
Projekti MVRDV bëri të mundur jo vetëm rikuperimin dhe rinovimin e plotë të ndërtesës, por edhe për ta bërë të aksesueshme majën e Piramidës, duke rikuperuar kështu një nga funksionet e lashta të ndërtesës. E hapur për herë të parë në vitin 1988, si një muze kushtuar diktatorit komunist Enver Hoxha dhe duke u shfrytëzuar pas vdekjes së tij, Piramida u përdor si vendtakim nga të rinjtë shqiptarë që kënaqeshin duke u ngjitur dhe rrëshqitur në trarët e pjerrët. Gjatë dekadave, ndërtesa është përdorur për qëllime të ndryshme: nga një radio stacion në një klub nate, në një vend konferencash, në një qendër transmetimi dhe madje gjatë luftës së Kosovës në 1999, edhe si bazë e NATO-s. Të gjitha këto ndryshime në funksionalitetin e tij, të kombinuara me ndërhyrjet jo tërësore rinovuese e kanë lënë të zhveshur dhe të çrregullt brendësinë e ndërtesës. Kështu, në vitin 2017 qeveria shqiptare i hapi rrugë planit transformues të një ndërtese imponuese me beton, e cila sot i rikthehet publikut, nën petkun e papritur të një monumenti “për t’u përjetuar”.