Ka shkuar në 100 numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit ‘Tempulli’. Ditën e sotme pas hekurave përfundoi një 29-vjeçar, që ishte shpallur në kërkim nga policia e Tiranës.

Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet E. P.

NJOFTIMI I POLICISE

Vihet në pranga një 29-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, shkon në 100 numri i shtetasve të ndaluar. Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 euro, 6000 paund, 4 500 000 lekë dhe 12 targa automjetesh.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Tempulli”, bazuar dhe në inteligjencën informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, në Unazë të Re, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi E. P., 29 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.