Pas kaosit që Rithemelimi shkaktoi në Kryesinë e Kuvendit edhe Komisioni për Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë u mbajt online. Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi foli për projektbuxhetin për vitin 2024. Ajo deklaroi se, “në projekt-buxhetin e vitit 2024 janë planifikuar 215 milionë e 954 mijë lekë mbështetje për rininë, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Rinisë, ku përfshihet fondi grant me metodologjinë LOD për financimin e projekt-propozimeve të organizatave rinore/për të rinjtë dhe ndërtimin e infrastrukturës rinore nga bashkitë, mbështetja financiare për veprimtarinë e AKR-së, zbatimin e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, aktivitetet për lidership-in rinor, pjesëmarrjen në vendimmarrje, punësimin, kreativitetin, edukimin joformal, etj.” Për më tepër Muzhaqi paraqiti në mënyrë të detajuar edhe mbështetjen për të rinjtë në thirrjen e dytë dhe të tretë për projekt propozime, duke shtuar se edhe në 2024 do të ketë një tjetër thirrje për projekt-propozime.
“Nga thirrja e dytë për projekt-propozime rinore janë financuar 24 projekte të organizatave rinore/për të rinjtë në vlerën 58,000,000 Lekë; nga thirrja e tretë për rininë po financohen 23 projekt propozime rinore të organizatave rinore/për të rinjtë në vlerën totale 58 milionë lekë (buxheti 2023).” tha Muzhaqi. Më tej, Muzhaqi u shpreh se, “në projekt buxhetin e vitit 2024 janë planifikuar 215 milionë e 954 mijë lekë si mbështetje për rininë,” e më pas evidentoi edhe rritjen e buxhetit “konkretisht, projekt buxheti i vitit 2024, reflekton një rritje prej 33% krahasuar me buxhetin e vitit 2023, dhe 34% rritje krahasuar me buxhetin e vitit 2022, duke krijuar kështu mundësinë që të zbatojmë angazhimet e parashikuara në Strategjinë Kombëtare të Rinisë për vitin 2024 lidhur me detyrat funksionale të Agjencisë Kombëtare të Rinisë” tha Muzhaqi.
Gjatë relatimit në Komision, ministrja prezantoi dhe përparësitë e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, miratuar nga Qeveria Shqiptare, më 26 tetor 2022, e cila parashikon një buxhet prej 5,5 miliardë lekësh në total. Ministrja Muzhaqi u ndal tek nisma më e re, “Panair për edukim, trajnim dhe punësim në çdo qark” në kuadër të së cilës deri më tani janë zhvilluar panaire në Kukës, Sarandë, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë. Muzhaqi shtoi se, “Synimi afatgjatë është organizimi i panaireve në të gjitha qarqet e Shqipërisë, dhe në vijim, do të organizohen panaire në Korçë, Dibër dhe Gjirokastër gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2023; Durrës, Elbasan, Lezhë, Berat, Fier gjatë periudhës janar-shkurt 2024, të gjitha këto në përputhje me qëllimet e Startegjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029”
Për më tepër, për fuqizimin e të rinjve, Ministrja Muzhaqi theksoi se tashmë janë 59 Këshilla Vendorë Rinorë nga 61 bashki në total, me qëllim angazhimin e të rinjve në politikëbërje lokale, e më tej u shpreh se “vijojnë procedurat për ngritjen e Këshillit të dytë Kombëtar Rinor që funksionon si një organ këshillimor pranë Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët për politikat në nivel qendror.”
Ndër të tjera, gjatë relatimit, Minstrja Muzhaqi theksoi se vijon bashkëpunimi me ministritë e linjës dhe institucionet kontribuese për programet ndërsektoriale si, Programi i Ekipeve Sportive në Shkolla, Programi Jashtë Orarit Mësimor, Programi i Kodimit në Shkolla, por edhe Kodimi për të Rinjtë. Vitin e shkuar, vijoi Muzhaqi, ju informova mbi përgatitjen e një programi për subvencionimin e kurseve profesionale afatshkurtra në fushat e teknologjisë së informacionit nga qeveria shqiptare për të gjithë të rinjtë, me qëllim trajnimin e 1000 të rinjve kodues.
“Këtë vit ju informoj se Programi i Kodimit është lançuar më 23 janar 2023, duke çelur kështu aplikimet për të gjithë të rinjtë dhe tashmë, 2 muaj përpara përfundimit të vitit, është tejkaluar synimi prej 1,000 të rinj kodues të trajnuar nëpërmjet këtij programi, duke arritur në 1068 të rinj aktualisht të regjistruar në kurset afatshkurtra të programimit të ofruara nëpërmjet këtij programi. Kështu, mbetet ende 2 muaj kohë që synimi për 1000 të rinj kodues të tejkalohet edhe më tej deri në përfundim të 2023, me buxhetin e vitit 2023.”, nënvizoi Muzhaqi. Sigurisht, prioritet i qeverisë është edhe edukimi i fëmijëve për teknologjinë. Kështu, Muzhaqi informoi se, “gjatë viteve 2022-2023, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët ka udhëhequr përpjekjet e qeverisë për të siguruar përgatitjen dhe më pas përfshirjen e lëndës së kodimit që në klasë të parë fillimisht në 100 shkolla të shpërndara në të gjithë qarqet e vendit për vitin mësimor 2022-23 dhe shtrirjen e këtij program edhe më tej”.
“Në vitin 2022 ka përfunduar me sukses ndërtimi i 100 smartlab-eve dhe me përfundimin e vitit arsimor 2022-2023 ka përfunduar me sukses dhe viti i parë i implementimit të programit që përkon me mësimdhënien e lëndës së re “TIK” për 7076 nxënës të klasave të para si dhe 66,368 nxënës përfitues në total nga smartlabet në të gjitha klasat në këto 100 shkolla”, tha Muzhaqi. Muzhaqi referoi se ngritja e 100 laboratorëve për vitin 2022 është mbështetur përmes fondeve të miratuara në buxhetin e vitit 2022 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe financimin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) përmes projektit “ElementIT”. “Ka filluar mësimdhënia në klasat e dyta të 100 shkollave si dhe është shtrirë gjeografikisht mësimdhënia në klasat e para të 300 shkollave. Aktualisht jemi në fazën e ngritjes së 200 laboratorëve të rinj me bazën e duhur materiale dhe është në proces trajnimi i mësueseve të TIK për klasat e para dhe të dyta”, nënvizoi Muzhaqi.