Në Lushnjë, vijon puna për rehabilitimin e Unazës “Vath Koreshi”, të Lushnjës, ku shtrihet dhe pjesa më e madhe e bizneseve. Kryeministri Edi Rama inspektoi sot në terren punimet për rehabilitimin e kësaj rruge që do të përmirësojë qarkullimin dhe lehtësojë lëvizjen e banorëve në zonën juglindore të qytetit të Lushnjës.

“Kjo është unaza ‘Vath Koreshi’, një nga arteriet kryesore të qytetit të Lushnjës. Ka një gjatësi prej 2.2 km dhe një gjerësi 19 metër. Ky është edhe segmenti që ka shtrirjen më të madhe të zonës se biznesit. Është menduar me dy sense kalimi dhe me trotuare në të dy anët që do të jenë rreth 3 m të gjerë”, shpjegoi Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës Eriselda Sefa.

Përfundimi i projektit garanton ofrimin e një rruge me standarde krejtësisht të reja, me 4 korsi, ndërtim dhe sistemin të kanalizimeve, rikonstruksion të shtresave rrugore, sistemim të ujit të shiut, rrjetit inxhinierik, zgjerimin e trotuareve dhe pajisjen me sinjalistikë rrugore.