Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi nisjen e punimeve në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi” në kryeqytet, e cila po rindërtohet më e fortë, më e bukur dhe me kushte më moderne për nxënësit. Një tjetër premtim i mbajtur i Bashkisë së Tiranës.
“Shkolla “Avni Rustemi”, një shkollë e vjetër, por një shkollë gjithashtu e amortizuar, e ndërtuar me mjete rrethanore, të varfra, të viteve të komunizmit. Vërtet ka prodhuar shumë talente, do të thotë që një talent lulëzon pavarësisht terrenit. Megjithatë, ka ardhur koha që shkolla të jetë dinjitoze si të gjitha shkollat e tjera. Madje, edhe shumë shkolla që nuk u prishën nga tërmeti, por mund të kenë pasur dëmtime të thjeshta, sigurisht që stonojnë me supershkollat e bukura që janë bërë. Prandaj i ka ardhur radha edhe “Petro Ninit”, “11 Janarit”, “Edit Durhamit”, dhe “Avni Rustemit”, që është shkolla e parë në këtë seri ku po ndërhyjmë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku tha se rikonstruksioni i shkollës do i rrisë edhe më shumë vlerën pronës në këtë zonë.
“Do të bëjmë një investim shtesë për palestrën në pjesën e mbrapme të oborrit, në një lagje si Rruga e Bogdanëve, që është vërtet një nga lagjet që ka pësuar më shumë ndryshim dhe transformim falë investimeve të bashkisë, por edhe punës private të gjithë atyre bizneseve që gëlojnë këtu, dhe që e kanë kthyer këtë komunitet në një nga komunitetet ekonomike të Tiranës. Pra, e gjithë zona mes Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës, prapa rrugës së Ambasadave, është vërtet një zonë kyç, ku vlera e pronës është rritur ndoshta më shumë se kudo tjetër. Shkolla do të kthehet në një bizhu për komunitetin. Ka mbërritur dita që shteti po prodhon më shumë cilësi në urbanistikë se sa privati. Besoj fort se ndërtimi i një shkolle të mirë, edhe çibanët e fundit që kanë ngelur në komunitet ndoshta do t’i bashkojë në një zhvillim të konsoliduar për t’i rritur vlerën akoma më shumë pronës”, nënvizoi Veliaj.
Shkolla “Avni Rustemi”, e cila njihet edhe si fidanishtja e basketbollit shqiptar, ka një kapacitet prej 680 nxënësish, ndërsa do bëhet riorganizimi i hapësirave mësimore dhe sportive.