Nga ALDA BARDHYLI – Sa mendoni se jemi në gjendje ta ndalojmë luftën? Virginia Wolf do ta linte tri vite pa përgjigje këtë pyetje, duke gjetur një mori justifikimesh, apologjish, mbi mungesën e njohurive, a përvojës, duke skicuar fillimisht portretin e personit të cilit i drejtohej letra, për të vijuar më pas një nga romanet më interesantë “Tri gjinitë”, përkthyer në shqip nga Anila Omari, i cili u kthen përgjigje raporteve historike mes gjinisë, fesë dhe sistemeve. E publikuar më vitin 1938, kjo vepër manifest mbi kulturën dhe lirinë intelektuale, në kontekste të reja gjeopolitike si lufta në Ukrainë, dhe konflikti i ri Izrael-Hamas, na rikthehet në diskursin publik bashkë me pyetjen se si mund ta parandalojmë luftën?

Sot kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjesh vetëm duke vëzhguar situatën politike, por dhe në realitete të reja social-kulturore që kanë krijuar një luftë tjetër, po aq të rrezikshme për botën sot, siç janë konfliktet e reja mes kulturës dhe një realiteti të ri virtual të perceptimit mbi kulturën, si konsum, e cila nuk jeton më gjatë se një story në instagram. Ne mund ta parandalojmë luftën duke mbrojtur kulturën, dhe pse sot të mbrosh kulturën do të thotë më pak publicitet më pak fitim. Iu riktheva librit të Wolf këto ditë, teksa në Tiranë ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e librit të një viti, Panairi i 26-të. Kur flasim për kulturën libri është një nga pjesët më thelbësore të saj, i cili që me shpikjen e tij e ka orientuar njeriun drejt zhvillimeve të reja shpirtërore e sociale, duke ndërtuar sisteme, e përsosur ato.

Libri mbetet forma më e lartë orientuese për të cilën njeriu do të ketë gjithnjë nevojë. Libri është edukimi i zemrës, hapësira ku udhëtojmë pa e ditur se jemi në udhë që na rrisin, shtëpia që na shfaqet bashkë me miliona miq të cilët qëndrojnë aty, për të na ndihmuar. Por industria e librit nuk ka mundur t’i shpëtojë formës së re të kulturës që përshfaqet sot, duke mbështetur fuqishëm libra “idiotë”, siç do të shprehej në një intervistë për New York Times, disa ditë më parë një nga njerëzit më të rëndësishëm të kësaj industrie, Andrew Wylie.

Pyetja që ai shtron është një nga pyetjet që na përfshin të gjithëve në punën tonë: Kush lexon sot? Çfarë lexojnë? Çfarë u ofrojmë lexuesve? Sa mundet këto lexime të parandalojnë shqetësimin e Wolf? Çfarë drite hedhin mbi jetët tonë librat që lexojmë? Sa na nxisin ato për të menduar, sa i ndihmojnë të rinjtë në vizionet e tyre, sa e nxisin shoqërinë të parandalojë luftën? Përgjigja e çdo pyetje ekziston prej mijëra vitesh ruajtur me kujdes në libra, duke pritur që të shfletohen prej nesh, për ti marrë me vete në rrugëtimin tonë, për të na bërë më të lirë dhe më të bukur.

*Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit