Në episodin e 10-të të sezonit të dytë të podcastit “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, kanë qenë të ftuara 4 vajza të cilat operojnë me bizneset e tyre në fushën e kreativitetit. Të ftuarat folën për përvojën e tyre jashtë vendit dhe më pas hapjen e sipërmarrjeve të tyre pas kthimit në Shqipëri.

Lidhur me fushën ku operonin këto biznese, kryesisht në atë të dizajnit, Rama tha se mund të ketë një bashkëpunim pasi vitin tjetër në Tiranë do të organizohet eventi “Vogue Italia” për të prezantuar një numër të stilistësh dhe modelesh nga Italia.

“Ne kemi në plan të organizojmë vitin e ardhshëm një event me Vogue. Vogue Italia, ata bëjnë çdo vit evente, një event te madh në rrugë, këtë vit ishin në New York, vitin tjetër do ta bëjnë në Tiranë për të prezantuar një numër stilistesh edhe do të sjellin një numër modelesh nga Italia. Por, gjëja qe ne po përpiqemi të bëjmë është diçka pak më të gjerë se kaq. Kështu që, mbase kjo është dhe arsyeja që rasti e solli që të takoheshim se mund të bëjmë një bashkëpunim me ju edhe mbas bisedës ju them pak më shumë se si mund të bashkëpunojmë dhe në çfarë hapësire mund të përfshiheni ”-tha Rama.

Në mbyllje të podcastit, duke ftuar shikuesit të vizitonin hapësirën “Destil”, Rama nuk kurseu as batutat, për të ftuarat, duke thënë se tashmë duket qartë se djemtë punojnë për vajzat.

“Këto ishin katër vajzat e një hapësire speciale, e një hapësire krijuese, një hapësire që unë personalisht e kam me të dëgjuar, por mora edhe më shumë nxitje për ta njohur, duke e vizituar dhe që iu ftoj të gjithë juve që jeni të lidhur në një mënyrë apo në një tjetër, qoftë nëpërmjet interesit, qoftë nëpërmjet kuriozitetit me këtë botë që ta vizitoni hapësirën “Destil”, po bëja pak reklamë tani se ju e keni bërë me mbështetje. Pastaj këtu doli e qartë edhe diçka tjetër që djemtë punojnë për vajzat, e qartë kjo. Shumë faleminderit”- shtoi kryeministri.