Xherdan Shaqiri është tepër i lumtur për kualifikimin e Zvicrës në Euro 2024. Lojtari kosovar i kombëtares helvete ka theksuar se ishte një kualifikim i vështirë, por gjithashtu ka prekur pak edhe çështjen e stadiumit të Kosovës, aty ku Zvicra luajti ndeshjen para pak ditësh.

“Kam dashur të luaj dhe ta ndihmoj ekipin. Jam i lumtur që isha në gjendje të luaj nga fillimi. Ndoshta nuk ishte ndeshja ime më e mirë. Fusha nuk ishte më e mira po ashtu. Asnjëherë nuk është e lehtë të kualifikohesh në evente të mëdha.

Shpresoj që një ditë Kosova të kualifikohet. Duhet të ketë ambient të mirë mes lojtarëve. Të rregullohet stadiumi, sepse është turp të shikojë bota atë fushë. Dhe kur të rregullohen këto gjëra të vogla, Kosova do të kualifikohet, sepse ka shumë lojtarë të talentuar”, është shprehur Shaqiri pas ndeshjes ndaj Kosovës.