Nga Carlo Bollino/

Prej disa javësh Sali Berisha ka filluar transmetime live me të ashtuquajturit “gjyqe publike”, të ideuar si instrument për të shmangur pyetjet e prokurorëve dhe për të bërë presione ndaj Drejtësisë, pasi Gjykata Posaçme kundër Korrupsionit (GJKKO), vendosi ndaj tij dhe dhëndrrit Jamarbër Malltezi, një masë shtrënguese gjatë hetimeve mbi privatizimin e ish-Klubit Partizani. Në këto gjyqe ai bëhet njëkohësisht edhe prokuror edhe gjykatës pa dhënë asnjë hapësire mbrojtje, sipas një modeli tipik komunist. Një gjyq politik që, edhe si emër, edhe si dinamikë, ngjason me gjyqet politike të kohës së Enverit. Natyrisht, duke qenë se jemi në vitin 2023, mundësia e vetme që ka Sali Berisha është ta dënojë kundërshtarin me shpifje dhe denigrime publike, por kultura që ai tregon është identike me të asaj kohe.

Në këto gjyqe politike (si rast unikal i sulmeve ndaj një gazetari), Sali Berisha më ka përfshirë edhe mua, gazetar prej me shumë se 40 vitesh në mbarë boten dhe tani pronar i Report Tv: Ish kryeministri pa asnjë provë më ka etiketuar si përvetësues të pronës dhe “grabitqar”. Berisha si gjithmonë manipulon totalisht realitetin, duke shpikur rrethana dhe duke paraqitur tani si korruptive procedura plotësisht ligjore të ndjekura nga Report Tv në vitin 2019 për të marrë me qira një truall me një godinë të rrënuar mbi të cilin më pas u ndërtua me shpenzimet e kompanisë selia e televizionit. Procedura plotësisht të ngjashme janë kryer në të shkuarën, edhe nga vetë Sali Berisha kur ishte Kryeministër, në favor të pjesës më të madhe të televizioneve kryesore shqiptare, përfshi edhe shumë prej tyre që transmetuan pa asnjë siklet këto akuza false.

Këto akuza, në fakt, janë dukshëm një formë hakmarrje dhe presioni ndaj meje si gazetare, që kam qene dhe jam kritik ndaj politikës agresive të Sali Berishës që kur ishte në pushtet, por edhe dhe ndaj një medie si Report TV që më pak se dy vite më parë bëri një investigim të thellë gazetaresk mbi procedurat e ndjekura nga qeveria Berisha për privatizimin e ish-kompleksit Partizani dhe mbi financimin e 19 kullave që janë ndërtuar aty nga dhëndrri i ish-kryeministrit. Argument që është subjekt hetimi nga SPAK.

Pra Sali Berisha më konsideron mua dhe Report Tv si “fajtorët” për hallet e tij gjyqësore dhe për shpalljen e tij “person non grata” nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania e Madhe dhe për këtë arsye ka ndërmarrë një fushatë shpifjesh me qëllimin e vetëm të hakmarrjes.

Sa i takon akuzave të tij konkrete realiteti është komplet ndryshe:

1) Formula e kontratës 1 euro e pëdorur nga Report Tv dhe që Sali Berisha e ka denoncuar si një abuzim, është në fakt një nismë e vetë Sali Berishës kur ishte kryeministër në të largëtin 2006. Atëherë ai mburrej me planin ‘’Shqipëria 1 euro’’ që e konsideronte instrument legjitim dhe me standardet europiane më të larta për të stimuluar investimet e huaja në vend. Sipas tij, investitori i vetëm që nuk ka të drejtë ta përdorë, jam unë. Procedurat shtjellohen në detaje me VKM nr. 54 të qeverisë Rama në vitin 2014, domethënë 5 vjet më përpara se Reportv Tv (njësoj si shume sipërmarrje të tjera private) të përfitoja

2)Ndryshe nga sa shpif Berisha, Report Tv nuk është bërë pronar i asgjëje, por ka nënshkruar vetëm një kontratë qiraje. Në këmbim të qirasë simbolike prej 1 euro, ligji dhe qeveria detyrojnë televizionin të punësojë një numër të konsiderueshëm punonjësish dhe të realizojë një investim të kushtueshëm, pjesa më e madhe e të cilit mbetet pronë e Shtetit.

3)VKM-të e treguara nga Sali Berisha si provë e një rasti korruptiv, janë në fakt pjesë e një procedure normale e parashikuar nga ligji për çdo ndërmarrje që pranon një kontratë qiraje të këtij lloji me Shtetin dhe nuk është një favor special i rezervuar për Report Tv Berisha pretendon se kur ai ka qene kryeministër nuk ka firmosur kurrë një kontratë të tillë, që ai e quan ”të personalizuar”. Por edhe njëherë, gënjen. Në fakt, pikërisht Berisha në 2008, i ka dhenë një televizioni tjetër një siperfaqe prej 4900 metra katrore pa asnjë konkurrim, ndryshe nga Report Tv që ka bërë sipas ligjit një garë publike.