Nëse ka një arsye pse ende Festivali i Këngës në Radiotelevizion është një nga evenimentet e vetme që kanë rezistuar për të qenë interes kombëtar mbi artin, është edhe ekzistenca e Orkestrës Simfonike.
Le të harrojmë stonaturat, çjerrjet, zakonshmërinë e këngëve fituese dhe të ndalemi vetëm tek një detaj etik, sjëllja ndaj Orkestrës.
Në vitin 2010, orkestra e Sanremos u revoltua ndaj organizatorëve për shkak të keqadministrimit artistik të pranimeve e përjashtimeve të konkurrentëve. Aso kohe, u revoltuan për përjashtimin e këngëtares Malika Ayane. Në sallën e Sanremos u hodhën përtokë partiturat.
Nuk dua të nxis imagjinata me komplekse që orkestra të protestonte për përjashtimin e Elsa Lilës nga parada e çmimeve të festivalit, se këngët e mira dhe artistët e vërtetë nuk jetojnë për çmime, por për artin dhe papërshtatshmërinë me konjukturën a konvencionin për hir të artit.
Në fakt, ka një arsye pse Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit duhej ngritur në protestë, për entuziasmin ereksional të fituesit, deri në gënjimmendjen se mund të performonte duke u hequr si dirigjent, a duke i rrëmbyer partiturat Orkestrës që me mirësi, virtuozitet e profesionalizëm e shoqëronte. Megjithatë, për këtë suport të dhënë për 62 vjet artistëve, mori mbi kokë partitura të flakura nga fituesi dhe një shuplakë dinjiteti.
Orkestra Simfonike e RTSH-së është shtylla kurrizore e Festivalit të Këngës në Radiotelevizion. Orkestra nuk preket. Orkestra nuk është palaço fituesish jetëshkurtër. Orkestra është institucion dhe pa të, konkurrentë me fitues bashkë, janë thjesht një grumbull dëshirëmëdhenjsh për të qenë në skenë, por pa e merituar atë.
Orkestra meriton respekt dhe kjo nuk ka asnjë justifikim me asnjë lloj e soj performance patetike e papjekurie artistike.
Nëse nuk bëhen shembuj në dobi të dinjitetit të Orkestrës, sikur dhe ndaj fituesit për shkelje të etikës së festivalit, do ta bëni këtë institucion të artit një pre të të gjithë të paudhëve që mëtojnë të bëjnë art, por përfundojnë duke e pshurrur atë.