“Të nderuar demokratë e demokrate, të dashur bashkëqytetarë, jam mirënjohëse që jam këtu para jush sot, jo vetëm si mbështetëse e Partisë Demokratike, por edhe si nënë e 4 fëmijëve dhe si një nga mijëra profesionistët e shtresës së mesme që kanë punuar në profesionet e tyre me besimin e zhvillimit të një vendi më prospert, të një të ardhme më të mirë…”

Nisi kështu fjalimi i Argita Berishës në Kuvendin dje, jo vetëm para atyre demokratëve që kanë mbetur dhe vazhdojnë t’i besojnë verbërisht “Familjes Berisha”, por edhe para gjithë shqiptarëve. Vajza e njeriut që ka marrë më shumë pushtete në Shqipëri, që nga kryetar partie, kryeministër e President, u thotë shqiptarëve pa iu dridhur qerpiku se ajo është “shtresa e mesme”. Rreshtimi i pronave të luajtshme e të paluajtshme që Argita Berisha ka deklaruar vetë si pasuri në ILKDP nuk ka të mbaruar. Sigurisht nisi me “rrogat” në UMNIK dhe deklarimin e 1 milionë eurove që kishte vënë me ato rroga kur i ati u kthye në pushtet në 2005, nga të cilat, mesa duket, nuk shpenzonte as për të ngrënë, as për të rritur 4 fëmijët, as për të paguar shkollat, pastrueset, veshjet, parukieret, ndërhyrjet estetike, udhëtimet jashtë shtetit, pushimet, asgjë; ajo vetëm kursente dhe ushqehej me ajrin e Shqipërisë! Pra, Argita Berisha është e vetmja rrogëtare në botë që arrin të kursejë 1 milionë euro nga rroga dhe dietat e saj dhe të bashkëshortit. Jo vetëm të kursejë 1 milionë euro, por ndërkohë të ketë apartamente në një lagje luksoze të Tiranës bashkë me babin, Vilën më të madhe në Gjirin e Lalëzit, 19 pallate nga 7 deri në 13 kate te ish-klubi Partizani, toka nga Mali i Dajtit e fshatrat përreth, etj. etj. etj.

E megjithatë, kjo masë e stërmadhe pasurish nuk e pengon fare atë që jo vetëm të ankohet për lirinë e fjalës, por të na thotë se ajo është përfaqësuesja e shtresës së mesme të shqiptarëve. Shqiptarët ja kanë kuptuar hilet Familjes Berisha, SHBA ja ka kuptuar, Britania e Madhe gjithashtu, duhet parë deri në fund se sa ja ka kuptuar Drejtësia!

Tani, Argita Berisha, që po gënjen në mënyrë të hapur njësoj si babai i saj (që me teser komunisti në xhep u paraqit si ai që ka rrëzuar komunizmin), po përgatitet të përfaqësojë të ardhmen e Partisë Demokratike. Urime për ata që e besojnë!