Pas pak do të nisë mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës ku do të miratohen një sërë vendimesh të rëndësishme. Përmes një videomesazhi, kryebashkiaku Veliaj thekson se buxheti për vitin 2024 është 10 herë më i madh se ai që u gjet nga administrata e kaluar, për një Tiranë që është 10 herë më e pastër dhe ka 10 herë më shumë shkolla.

“Hej përshëndetje! Është mbledhja e fundit e vitit në këshillin bashkiak për buxhetin, një buxhet 10 herë më i madh se ai që gjetëm në vitin 2015, sepse edhe Tirana ka 10 herë më shumë nevoja, por është edhe 10 herë më e pastër, ka 10 herë më shumë shkolla, ka 10 herë më shumë aktivitete dhe jemi 10 herë më shumë krenarë për gjithë punët që duam të bëjmë në Tiranë. Në këtë buxhet ne duam që të kalojmë përfundimisht investimet në shkollat e “Astirit”, shkollat e Liqenit të Thatë edhe të Saukut, që kanë qenë dilema dhe gjyqe të prapambetura, që tashmë i kemi fituar dhe kemi të gjithë përgatitjen për të filluar punën. Ndërkohë që për herë të parë ne marrim grantin më të madh në historinë e Bashkisë së Tiranës, 31 milionë euro nga Bashkimi Europian, që bashkë me kredinë e KFW-së, do të transformojë transportin publik në Tiranë dhe do modernizojë të gjithë linjat e autobusëve duke filluar nga 3 të parët: Linja e Unazës, Linja Kombinat – Kinostudio dhe Linja e Tiranës së Re”, thekson Veliaj.

Në videomesazhin e tij, kryebashkiaku Veliaj deklaron se investimet do të vijojnë për të shtuar më shumë çerdhe e kopshte, ndërsa Tirana po përgatitet për të marrë Presidencën e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit, e njohur ndryshe si B40.

“Në finale duam të shtojmë çerdhet, kopshtet dhe duam që këtë mandat të kapim dhe 1 milionë pemë të tjera duke filluar me mbjelljet që këtë vit, duke qenë se dhe koha është ideale për të mbjellë. Për të vazhduar pastaj me përfundimin e Parkut të Farkës dhe për t’u siguruar që Tirana është e përgatitur për të pritur B40 vitin tjetër, që do të jetë hapësira më e madhe e bashkive që mblidhen në Tiranë, koncepton ide në Tiranë, bashkëpunon në Tiranë dhe për t’u përgatitur për atë që është surpriza më e madhe në 2025-ën, Tirana është Kryeqyteti Europian i Mesdheut. Duam që ta presim me dinjitet, me infrastrukturë, edhe me shumë dashuri”, shprehet Veliaj.