Ligjvënësit amerikanë paralajmërojnë se përpjekjet e Partisë Komuniste Kineze për të përhapur dezinformim do të vazhdojnë të shtohen përpara zgjedhjeve të vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Catherine Gypson, shqetësimi kryesor për ligjvënësit është kompania e mediave sociale TikTok.
Ligjvënësit amerikanë paralajmëruan të enjten se fronti më i rëndësishëm në konkurrencën mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mund të jetë në telefonat celularë.
“TikTok-u është ndoshta operacioni më i madh i ndikimit keqdashës që është bërë ndonjëherë. Të lejohet që një entitet i kontrolluar nga Partia Komuniste Kineze të mbizotërojë platformat e mediave në Amerikë, do të ishte një gabim shumë i madh”, tha Ligjvënësi Mike Callagher, kryetar i Komisionit për Kinën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Përhapja e dezinformimit në platformat e ndryshme të mediave sociale, përfshirë TikTok-un, mund të dalë me shpejtësi jashtë kontrollit, thonë ligjvënësit amerikanë.
“Pamjet komplet false të Donald Trump-it janë një tregues se çfarë duhet të presim në të ardhmen. Ndërsa përmirësohet teknologjia, po kështu do të përmirësohen aftësitë teknologjike dhe materialet false do të kalojnë nëpër mediat sociale pa u pikasur”, tha ligjvënësi demokrat Raja Krishnamoorthi.