Sot (4 dhjetor) nis shpërndarja e bonusit të fundvitit prej 5 mijë lekësh për pensionistët në të gjithë vendin. Në një deklaratë për shtyp, drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado tha se të gjithë pensionistët duke nisur nga sot, kanë mundësi që të paraqiten pranë Postës Shqiptare për të tërhequr bonusin e fundvitit.

Duke thënë se nga bonusi përfitojnë në total rreth 704 mijë persona, Hado theksoi se të gjithë ata pensionistë të cilët për arsye të caktuara e kanë të pamundur të paraqiten deri në datën 31 dhjetor për të tërhequr bonusin, mund ta tërheqin edhe vitin e ardhshëm, pra deri në dhjetor të vitit 2024.

“Të gjithë ata që nuk munden për arsye të ndryshme, mund ta tërheqin këtë bonus edhe vitin e ardhshëm. Nuk ka nevojë që të shyhen nëpër radhë. Bonuset po i shpërndajmë me këstin mujor të pensioneve. Dua të garantoj se është një buxhet që është miratur që buxhetin e kaluar. Fondet janë në dispozicion. Mund ta tërheqin kur të kenë nevojë. Janë rreth 585 mijë qytetarër që marrin pensione pleqërie, janë qytetarë që marrin pensione si ish minatorë, 2172 , pension social, 2500 persona, marrin të gjithë personat me pension të parakohshëm, 6053 veta. Janë edhe disa kategori të tjera, persona që marrin pension pleqërie për shkak të punës së vështirë që kanë, dhe ata persona që kanë përfituar trajtime të veçanta. Atë ditë që do marrin pensionin, do marrin edhe këstin mujor”, theksoi ai.