Familjarë, miq dhe dashamirës të aktivistit të njohur Artan Metohu, përkujtuan njeriun e tyre të dashur duke iu bashkuar nismës së Bashkisë Tiranë, “Dhuro Një Pemë” për qytetin.

Një simbolikë e vazhdimit të jetës, e cila bën që edhe pse jo fizikisht, emri i Artan Metohut të vijojë të jetë i gdhendur në qytetin e tij.

Të pranishëm në ceremoni, familjarët dhe miqtë u shprehën se edhe pse ka vite që ka ndërruar jetë, Metohu kujtohet çdo ditë prej tyre për shpirtin e madh dhe njeriun e mrekullueshëm që ishte.

Në mbishkrimin e pemës së mbjellë në kryeqytet, u vendos dhe një pllakë përshkruese ku thuhet: “Në përkujtim të Artan Metohut, qytetarit model të Tiranës, njeriut që kontribuoi me zemër për të ndihmuar njerëzit në nevojë”.

I pranishëm në cermoni ishte dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, i cili tha se vepra e lënë nga Artan Metohu në aspektin human, nuk do të harrohet kurrë.

“Të gjithë ne themi në këto lloj rastesh “i përjetshëm qoftë kujtimi, e përjetshme qoftë vepra”, por Tani bën pjesë tek ato lloj qytetarësh vepra e cila ka lënë, qoftë në aspektin qytetar dhe intelektual, por dhe mbi të gjitha në aspektin human, është një vepër që nuk do harrohet kurrë”, tha Seferi.

Pema e mbjellë do të shërbejë si një pike reference ku familjarët dhe qytetarët e kryeqytetit do të kujtojnë mikun e tyre dhe shembullin e veprimtarisë së tij për breza me radhë, ashtu sikurse dhe pema do të shekullojë mbi dhe.

Kush ishte Artan Metohu?

I diplomuar për inxhinieri pyjore, në Institutin e Lartë Bujqësor Kamëz, në vazhdën e zhvillimeve politike në fillim të viteve ’90, Metohu zgjodhi të emigronte drejt Italisë fillimisht e më pas në Angli dhe Hollandë, ku mori edhe shtetësinë.

Falë korrektesës dhe dëshirës për punë, Artan Metohu mundi të integrohej lehtësisht në jetën e emgracionit, duke rritur gradualisht rrethin e miqve dhe ambiciet e tij. Dashuria e tij për të njohur sa më shumë vende, e çoi të ndërmerrte udhëtime të shpeshta, duke realizuar kështu një ëndërr të vjetër.

Me aparatin e tij fotografik, ai mundi të fiksonte mjaft çaste, duke lënë pas një trashëgimi të madhe të fotografisë.

Por emigracioni nuk ishte zgjidhja perfundimtare e jetës së tij. Pas shumë vitesh ai vendosi të kthehet në Shqipëri.

Njohës i mirë i disa gjuhëve si anglisht, hollandisht, frëngjisht dhe italisht dhe i prirë prej ideve dhe shembujve humanistë, në fund të viteve ’90 dhe deri në vitin 2003 ai punon me “Ëithout borders”, e më pas me fondacionin “Diaconia International Aid Albania”, me të cilën realizon mbi katërqind projekte, ku më kryesoret janë: “Kompletimi i qendrës së zhvillimit në Shkodër”, “Shtëpia e fëmijës 3-6 vjeç Shkodër”, “Shtëpia e fëmijës shkollor, Shkodër”, “Projekte të ndryshme me qendrën e fshatit S.O.S për “fugizimin e familjes”, “Kompletimi i kuzhinës dhe ambienteve të fjetjes për institutin e nxënësve që nuk dëgjojne në Tiranë”, “Kompletimi i kuzhinës dhe ambienteve të fjetjes të institutit të fëmijëve që nuk shikojnë në Tirane”, “Kampi veror për jetimorët e Shkodrës ndër vite”, “Kompletimi i qendrës shëndetësore, kopshtit të fëmijëve në fshatin Paktmilot (komuna Kryevidh Kavajë)”, “Ushqime, paisje të ndryshme për qendrën me aftësi mendore e fizike të kufizuara në Fier”, “Kompletimi i ambienteve të ngrënies për nënat dhe fëmijët e spitalit Pediatrik në Shkodër”, “Ndihma ushqimore dhe bazë materiale për Kishen Ungjillore”. Gjithashtu ai realizoi dhe shumë projekte të tjera humanitare të cilat i kanë ardhur në ndihmë personave në nevojë.