Pas qeverisë shqiptare, edhe qeveria italiane i ka hapur rrugë miratimit të marrëveshjes Rama-Meloni për transferimin e emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri.

Burime nga Palazzo Chigi bëjnë me dije se këshilli i ministrave ka dhënë miratimin e tij për projektligjin që ratifikon marrëveshjen e lidhur mes liderëve të dy vendeve. Protokolli i prezantuar nga dy krerët e qeverive, Giorgia Meloni dhe Edi Rama, parashikon krijimin e strukturave në Shqipëri për të mirëpritur emigrantët që kanë zbarkuar në brigjet italiane.

Kujtojmë se Italia do të ndërtojë dy qendra të menaxhimit të emigrantëve në Shqipëri, të cilat, kur të jenë plotësisht funksionale, do të jenë në gjendje të menaxhojnë një “fluks vjetor prej 36 mijë personash”. Rama është shprehur më herët se marrëveshja ka nisur të ideohet në gushtin e kaluar gjatë pushimeve të Melonit në Dhërmi, por që pas bërjes së saj publike, kreu i qeverisë ka dhënë detaje kryesisht vetëm për mediat italiane.