Kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme në Shkodër e quajti një bekim qeverisjen e PS-së në këtë qytet, me kryetarin e Bashkisë, Benet Becin.
Rama e nisi me faktin që Shkodra nuk quhet më ‘qyteti i plehrave’, si premtimi i parë bërë, dhe ndriçimin publik.
Kryeministri përmendi restaurimin e godinës së Bashkisë Shkodër, Muzeun e Kujtesës, transformimin e rrugës kryesore, Rrugën e Dukagjinit, projektin energjitik dhe shfrytëzimin e energjisë diellore.
“Do fillojmë restaurimin e godinës së Bashkisë Shkodër. Është ‘Allah Allah’, ajo godinë flet shumë për kush e ka drejtuar deri tani. Ka nevojë për një restaurim, një diamant në dorën e qytetit dhe jo një godinë që të duket sikur të vjen keq se duket sikur do shembet.
Muzeu i Kujtesës, muzeu i historisë së dhimbshme të qytetit, është si një dyqan për të blerë ato kartat e patatinave. Do ta kthejmë në një muze shumë dinjitoz.
Transformimin e fasadave të rrugës kryesore, që nuk është vetëm çështje bukurie, edhe bukuria është e rëndësishme. Imagjinoni sikur gratë dhe vajzat do dilnin në rrugë pa u kreh e pa u lyer, imagjinoni ça tmerri do jetë. Shëmtia nuk prodhon ekonomi, prodhon depresion, dekurajim, mungesë shprese, ndërkohë që e bukura prodhon ekonomi. Por nuk është vetëm ana estetike, por është një projekt efiçence energjitike.
Disa godina në hyrje të Shkodrës, familjet aty do të kenë ulje të çmimit të energjisë, në 30%. Model të parë të shfrytëzimit të energjisë diellore, që shpresoj që të eci përpara si duhet. Në atë projekt është Beneti pa qeverinë.
Rruga e Dukagjinit, një pretim i stërpërsëritur i tjerëve, një nga gjërat që Beneti kishte merak ishte të premtoja rrugën e Dukagjinit, se e di që e kam zor ta bëj një premtim por kur e them e mbaj.
I kemi mbajtur një pjesë të madhe të zotimeve. Ky është takimi i parë në një vend që nuk e qeverisnim më përpara. Ne jemi bekimi i Shkodrës, mallkimi ishte tjetër kush. Po të shkuara të harruara kur i thonë fjalës”, tha Rama.