Këtë vit vendi ynë ka pasur një ‘bum’ turistik, me turistë të huaj nga e gjithë bota që kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri. Mbi 10 milionë turistë të huaj kanë vizituar vendin tonë këtë vit. Kjo shifër, që është rekord për turizmin shqiptar, u tejkalua mbrëmë (25 dhjetor), në natën e Krishtlindjeve.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë shifrat, ndërsa shkruan se kjo është një arritje fantastike e paimagjinueshme më parë.
“LAJM I BUKUR! Bashkë me Krishtlindjen kaloi edhe numri 10.000.000 i turistëve të huaj në Shqipëri; një arritje fantastike e paimagjinueshme deri pak vite më parë! GËZUAR! 10 011 500 turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë deri mbrëmë”, shkruan Rama.
Viti 2023 është viti më i mirë i historisë së turizmit në Shqipëri me mbi 10 milionë vizitorë. Synimi i qeverisë është që sezoni turistik të zgjatet përtej 3-mujorit dhe të kthehet në turizëm gjithëvjetor.