Argjinatura e Darragjat, në njësinë administrative të Dajçit, e dëmtuar gjatë përmbytjeve të vitit 2010, dhe 2018 i është nënshtruar ndërhyrjes.
Kjo pas një kërkese të bërë nga bashkia Shkodër ndaj Bordit të Kullimit për rrezikun që i shfaqej zonës në rast të përmbytjeve.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci pa nga afër punimet në këtë argjinaturë, ku tha se kjo është një ndërhyrje e plotë që shmang rrezikun për zonën.
Sipas tij, nëse nuk ndërhyhej këtë dimër rrezikohej e gjithë zona.
“Ky është një investim që synon ta mbrojë këtë zonë nga rreziku i përmbytjeve”, tha Beci.
Në territorin e bashkisë Shkodër është ndërhyrë në disa zona për pastrimin e kanaleve kulluese në Gurin e Zi, Dajç, Bërdicë, ndërkohë që deri në fund të dhjetorit të përfundojë ndërhyrja edhe në njësinë Ana e Malit.
Këto ndërhyrje zvogëlojne rrezikun e përmbytjeve nga reshjet në tokat bujqësore në këto njësi administrative.