Meini është i dyti shtet federal amerikan që përjashton Donald Trampin nga zgjedhjet paraprake të republikanëve. Vendimi u mor në mënyrë të paprecedentë nga Sekretarja Federale e Shtetit, Shena Bellous, e cila është edhe zyrtarja më e lartë e administratës së organizimit të zgjedhjeve.

Në një intervistë për mediat amerikane, Bellous tha se ligji ia jepte këtë të drejtë, pavarësisht asnjë zyrtar nuk e kishte ushtruar deri më sot. Përjashtimin nga zgjedhjet paraprake, tha se e mbshtetste në ligjin që ndalon kryengritësit ose rebelët të mbajnë poste shtetërore.

Vendimi vlen vetëm për zgjedhjet paraprake mes republikanëve dhe jo ato presidenciale të Nëntorit 2024. Megjithatë, urdhëri mbetet pezull deri kur Gjykata e Lartë e këtij shteti federal të vendosë nëse është apo jo i ligjshëm. Këtë javë edhe Kolorado vendosi përjashtimin e Trumpit, nga gara paraprake.

Meini konsiderohet një shtet i papërcaktueshëm dhe mund t’i hapë punë ish-presidentit në përpjekje për tu rizgjedhur, në dallim nga Kolorado me shumicë votuesish demokratë. Shtete të tjera si Kaliforni, Miçigan e Minesota vendosën të mos e përjashtojnë Trampin nga parapraket.

Gjithsesi, republikanët do të kërkojnë mendimin e Gjykatës Supreme në Uashington, me besimin se do të hedhë poshtë një herë e mirë të gjitha vendimet penguese për Trampin, i cili kryeson sondazhet për presidencialet 2024 përballë shefit aktual të Shtëpisë së Bardhë, Xho Bajden.