Ministri i Brendshëm Taulant Balla bëri të ditur sot se Policia Rrugore ka rritur kontrollet në gjithë territorin e vendit.
Sipas Ballës 6 persona janë ndaluar për drejtim mjeti nën ndikim alkooli; 8 persona pa leje drejtimi mjeti; 4 persona për aksidente rrugore dhe 4 persona të tjerë për “korrupsion aktiv” të punonjësve të Policisë.
“Në zbatim të ligjit për çdo rast të tejkalimit kriminal të shpejtësisë në zonat e banuara dhe në rrugë të tjera, mosdhënia e përparësisë këmbësorëve, parakalimet, vendqëndrimet e gabuara, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit apo mosvendosja e rripit të sigurimit, përdorimi i xhamave të zinj, Policia Rrugore ka dhënë 13583 masa të ndryshme administrative. Po ashtu janë dhënë 54 masa për pezullim të lejedrejtimit dhe janë bllokuar 24 automjete”, u shpreh Balla.
Ministri i Brendshëm nxiti qytetarët dhe mediat të denocojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën.
Balla kërkoi po ashtu që Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit duhet të rrisin vigjilencën dhe godasin me ashpërsi çdo përfshirje në veprime korruptive të punonjësve të Policisë së Shtetit.